
Komuniteti Mysliman bën thirrje për mirëpritjen e afganëve. Me anë të një postimi në FB, KMSH shprehet se është i gatshëm të japë ndihmesën e vet, nëse është nevoja.
Motra dhe vëllezër, ditët e fundit u njohëm me lajmin se vendi ynë, Shqipëria, do të strehojë qindra mërgimtarë nga Afganistani, të cilët ikin nga përndjekja e regjimit të ri që po vjen në vendin e tyre.
Si besimtarë dhe si shqiptarë ne na takon t’i mirëpresim dhe të tregohemi bujarë me ta.
Mysafiri është amanet i Zotit për mikpritësin.
Institucionet e vendit dhe aleatët e vendit tonë kanë marrë të gjitha masat e duhura që kjo situatë të menaxhohet më së miri. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i gatshëm të japë ndihmesën e tij, në qoftë se nevojitet, për çdo rast. Gjithashtu, ne i bëjmë thirrje besimtarëve të tregohen bujarë, të paqtë dhe mikpritës me mërgimtarët për hir të Allahut. I lutemi Zotit të gjithësisë që konfliktet dhe luftërat të marrin fund në çdo vend të botës!



