
Autoritetet amerikane raportojnë për dëme të jashtëzakonshme në shumë shtete, pas “shpërthimit” të disa tornadove vdekjeprurëse që rrafshuan qytetet.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden deklaroi se kjo është një fatkeqësi natyrore e përmasave madhore. Pas kësaj deklarate u dha ndihmë në të paktën 8 qytete të Kentakit.
Guvernatori, Andy Beshear, tha se rreth 50 persona kanë humbur jetën vetëm në shtetin e tij, duke e çuar numrin e vdekjeve në zonat e shkatërruara në 64. Shumica e atyre që humbën tragjikisht jetën janë punëtorët e një fabrike qirinjsh.
Shtëpia e Bardhë e konsideroi tragjedinë në përmasat e një katastrofe federale, çka do të thotë se fondet do të kalojnë shumën e 5 milionë dollarëve, që u deklarua në çastet e para pas emergjencës.
Sipas Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (FEMA), kjo nënkupton “një gamë të gjerë ndihme në nivel federal, për individë dhe infrastrukturën publike”.
Situata e jashtëzakonshme përfshin gjithashtu “fonde për ndihmat e emergjencës dhe riparimin e dëmeve të përhershme”, duke garantuar kështu qytetarët për rindërtimin e shtëpive të tyre pas dëmeve që shkaktoi kjo katastrofë natyrore.



