
Parlamenti australian ka miratuar një ligj i cili i hap rrugën një referendumi historik kushtetues mbi propozimin për krijimin e një “Zëri” në parlamentin kombëtar që përfaqëson popujt indigjenë, që do të konsultohet në përpunimin e politikave dhe vendimet që i prekin ata. Masa, e miratuar tashmë nga Dhoma e Përfaqësuesve muajin e kaluar, u konfirmua mbrëmë në Senat me një shumicë prej 52 votave pro dhe 19 kundër, duke miratuar kështu tekstin e amendamentit të Kushtetutës së vitit 1901. Teksti do t’i nënshtrohet referendumit, i cili pritet të mbahet në tetor dhe që do të kërkojë një shumicë si në shkallë kombëtare ashtu edhe në shumicën e gjashtë shteteve të federatës. Nëse kalon, australianët indigjenë, popujt e të cilëve kanë jetuar në kontinent për të paktën 60.000 vjet, do të kenë të drejtën e sanksionuar për t’u konsultuar nga parlamenti dhe qeveria për legjislacionin që prek komunitetet e tyre.



