Italia shënon një tjetër rënie të lehtë të numrit të rasteve të reja me koronavirus.
Sipas buletinit të përditshëm të Mbrojtjes Civile, në Itali, në 24 orët e fundit janë shtuar 3491 raste të reja, ndërsa një ditë më parë ishin 3612 të tilla.
Numri total i të sëmurëve me koronavirus është 57 521 persona.
Ndërkohë, edhe numri i viktimave ka pësuar rënie të lehtë në krahasim me dje.
Ditën e sotme janë 683 të vdekur, ndërsa një ditë më parë ishin 743.
Deri tani, në Itali kanë humbur jetën nga koronavirusi 7503 persona.
Rritje ka shënuar numri i të shëruarve, i cili në total ka arritur në 9362. Në 24 oërt e fundit janë shëruar 1036 pacientë me koronavirus.
Deri sot, numri i bluzave të bardha që kanë humbur jetën është 33.
Kryeministri Giuseppe Conte e cilësoi situatën me të cilën po përballet vendi një krizë të paprecedent.
“Përhapja e kësaj emergjence ka shkaktuar në Bashkimin Europian dhe në Itali një krizë të paprecedent dhe na ka vënë në një provë shumë të vështirë”, ka thënë ai në parlament.
Ndërsa OKB njoftoi sot një plan global kundër pandemisë me vlerë 2 miliardë dollarë. “Covid-19 është kërcënim për mbarë njerëzimin”, tha sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Plani global kundër pandemisë parashikon ndarjen e 2 miliardë dollarëve për të luftuar sëmundjen në Amerikën e Jugut, Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi.



