Analisti Ben Andoni tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se beson që urdhri i ri ekzekutiv i Presidentit në largim të SHBA-ve Joe Biden do të prekë edhe zyrtarë shqiptarë.
Andoni theksoi se të rrezikuar mund të jenë ata që kanë përdorur burime të ndryshme parash për të lobuar në SHBA. Analisti mendon se vendimi është konsultuar edhe me zyrtarët e rinj që po vijnë në DASH.

“Shikoj një lloj rëndësie të administratës amerikane për një rajon të papërfillshëm si rajoni jonë, dhe që u kanë sjellë probleme edhe investimeve amerikane. Urdhri i ri ekzekutiv fillon nga problemet e Maqedonisë së Veriut me Greqinë, problemet e Maqedonisë së Veriut brenda saj, ku flitet për personazhe shqiptare, ku z.Grubi i ka këto probleme. Pastaj flitet për zyrtarët e Kosovës, Shqipërisë. Besoj që ky urdhër s’do lërë pa prekur zyrtarët nga Republika e Shqipërisë”.
I pyetur kush mund të jenë zyrtarët në listën e zezë të SHBA-ve, Andoni tha:
“Kjo është një pyetje 1 milionë dollarëshe. Besoj që politikanë që ka probleme me ligjin, dhe atë pjesë që ka cenuar problemet amerikane, do kenë probleme të tilla. Që nga z.Meta, z.Rama, personazhe të PD-së, janë përfolur për përdorimin e parave publike, ose burime të ndryshme të parave për lobimin në SHBA, dhe personazhe të tilla, këta mund të ndihen të kërcënuar. Është më e dukshme në Republikën Srpska në Bosnjë, sepse ata kanë dalë hapur kundër administratës Biden. Pse një urdhër i tillë në momentet e fundit? Do të thotë që administrata amerikane do të vazhdojë me të njëjtën logjikë apo jo? Nga ç’shikoj nga takimi i fundit Biden-Trump theksi ishte në tranzicionin e qetë. Unë besoj që një vendim i tillë për një rajonin tonë është konsultuar edhe me zyrtarët e rinj që po vijnë në DASH. Urdhrat ekzekutivë patjetër konsultohen me administratën”.
Andoni tha se nuk mendon që Berisha do çlirohet nga non grata me ardhjen e Trump në pushtet.
“Duket se administrata amerikane është edhe një hap përpara edhe sistemit të drejtësisë të vendeve tona. Ata identifikojnë të dhënat, dhe përmes këtyre të dhënave formulojnë urdhra të tillë ekzekutivë. Nuk mendoj që z.Berisha do çlirohet nga non grata me ardhjen e Trump në pushtet. Në thelb të politikës amerikane është pjesa pragmatiste. Kot shpresojnë edhe këta në Shqipëri. Njerëz që ata amnistojnë janë personazhe që ndryshojnë rrjedha të historisë. Berisha është një aktor shumë lokal, ashtu si z.Grubi. Janë pothuajse elementë të papërfillshëm për ta”.



