
Kryeministri Rama thotë se grupet ekstreme në veri të Kosovës janë kërcënim në rritje. Në një bashkëbisedim me eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo, mbi “Sfidat sistematike ndaj vlerave dhe interesave të përbashkëta” gjatë vizitës në samitin e NATO-s në Vilnus, Rama tha se ekziston mundësia e që veriu të kthehet në vatër zjarri. “Jam shumë i rehatuar nga fjala e presidentit Biden sot në Këshill, që foli për këto tema. Problemi i Ballkanit Perëndimor sot, në lidhje me sigurinë, ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi, të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq e vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme. Dhe çfarë po ndodh, diçka që është vërtet shumë e rrezikshme me veriun e Kosovës, që të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit dhe teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, grupet ekstreme në veriun e Kosovës”, theksoi ai.



