
Pas dështimit të votimit të Vjosa Osmanit si Presidente për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish sot në orën 17:00.
Gjatë seancës së djeshme tre deputetë të LDK-së nuk morën pjesë në procesin e votimit, duke mos u realizuar kështu kuorumi i duhur prej 80 deputetësh.
Flamur Hyseni, konstitucionalist, tha për MCN TV në një intervistë me Skype nga Kosova se mosplotësimi i kuorumit e lë procesin në raundin e parë.
“Ende nuk e kemi kaluar raundin e parë. Puna e parë është të sigurohet pjesëmarrja në votim e 80 deputetëve”, tha ai.
Sipas tij, fakti që Kuvendi ka njoftuar mbajtjen e seancës së radhës tregon se kuorumi do të arrihet.
“Besoj që me vetë faktin që seanca është ftuar në 17:00 është arritur pjesëmarrja në votim e 80 deputetëve. Duhet të ekzistojë një siguri minimale që të jenë prezent në votim 80 deputetë”, tha ai.
Sipas Hasanit, Kosova mund të ketë Brenda ditës emrin e presidentit të ri. Kjo sepse, edhe nëse arrihet në raundin e tretë, koalicioni qeverisës i ka 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit.
“Besoj që sot do të vijohet me procedurë për të arritur në raundin e tretë dhe do të kemi presidentin që sot”, tha ai.



