
Këngëtarja e muzikës pop, Jasmina Dervishi, e ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ka ndarë me dëgjuesit rrugëtimin e saj muzikor që ka nisur që në moshën 7 vjeçare.
E njohur për performancat e saj live, ka treguar se eksperienca e saj në festivalin “Kënga Magjike” ishte e veçantë këtë vit. Ajo u rikthye pas dy vitesh dhe e pranon se konkurrenca mes të rinjve ishte shumë e fortë.
Eksperienca ime në “Kënga Magjik” ishte e veçantë këtë vit, për faktin se u riktheva pas dy vitesh dhe të them të drejtën këtë vit ishte konkurrenca më e fortë sa i takon të rinjve.
Këtë vit isha më vetvetja, eksperimentova më shumë dhe e përdora këtë mundësi për të sjellë diçka të re, pasi këndoj live në klubet e natës, ku shpesh i jam përshtatur këtij stili.
Për Jasminën, muzika ka qenë gjithmonë pasion, dhe karriera e saj ka nisur që në fëmijëri.
Kam filluar që 7 vjeç në festivale për fëmijë, duke qenë pjesë e Qendrës Kulturore për Fëmijë. Aty, fëmijët ishim të motivuar dhe të kënaqur, duke gëzuar sukseset e njëri-tjetrit. Por kur rritesh dhe fillon të krijosh produktet e tua, atëherë ndjen një tjetër emocion dhe përgjegjësi, pasi ndihesh më shumë i konkurruar.
Përveç karrierës së saj në muzikë, Jasmina është edhe finaliste e programit “Mam, Po Ti?”, një eksperiencë që ka pasuruar më shumë karrierën e saj.
Isha poashtu edhe finaliste e “Mam, po ti’, ishte eksperienca që më rriti më shumë.
Ishte hera e parë që punoja me një band të madh dhe kjo më rriti shumë si artist. Për mua, finalistët janë të gjithë të barabartë, pastaj, kush fiton, është çështje preferencash dhe rrethanash.
Jasmina Dervishi ka dëshmuar se ka një dashuri të madhe për muzikën dhe se është e përkushtuar të zhvillojë gjithmonë karrierën e saj, duke e pasur në fokus cilësinë e interpretimit dhe eksperiencën që ofron për publikun.



