Përkeqësohet situata nga zjarri në fshatin Riban të Mallakastrës, ku flakët janë përhapur në një sipërfaqe të gjerë, duke rritur rrezikun për masivin pyjor të fshatit Lofkënd dhe për banesat që ndodhen pranë vatrave aktive.
Në një lidhje telefonike me studion e lajmeve në MCN TV, gazetarja Evi Gjini dha më shumë detaje mbi zhvillimet në terren, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet intensive për vënien nën kontroll të flakëve.
Në fakt situata është e ndërlikuar dhe zjarret kanë marrë përmasa më të mëdha, duke u përhapur në sipërfaqe të gjera për shkak të terrenit të vështirë. Kanë ndërhyrë edhe avionët për të bërë lokalizimin e vatrave, por era nuk është aspak e favorshme dhe po vështirëson punën në terren. Janë përqendruar forca të shumta, përfshirë aviacionin, shërbimet zjarrfikëse nga disa rrethe, policinë bashkiake, si edhe vetë banorët, të cilët po punojnë së bashku për të vënë nën kontroll flakët.
Sipas saj, në operacion është angazhuar edhe një avion që prej ditës së martë po asiston në shuarjen e zjarreve në Mallakastër.
Një avion, i cili është pjesë e kontratës që qeveria shqiptare ka lidhur për blerjen e tre mjeteve ajrore të këtij lloji, po ndihmon në fikjen e zjarreve në Mallakastër. Ndërkohë, zonat e banuara ndodhen shumë pranë vatrave të zjarrit. Pesë banesa mbeten ende të rrezikuara, por është siguruar evakuimi i banorëve të tyre, ndërsa forcat në terren vijojnë punën pa ndërprerje për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.



