Edhe pse nuk jemi ende zyrtarisht në sezonin turistik, vijat bregdetare dhe qytetet turistike mbeten shumë të frekuentuara edhe në këtë periudhë.
Fundjava e parë e muajit prill, e shoqëruar me përmirësim të motit, ka nxitur qytetarët dhe turistët të dalin për shëtitje dhe pushime të shkurtra.
Korrespodentet e “MCN Live” Ervina Garo nga Durrësi, Ariola Hasanaj nga Vlora dhe Jonida Qirko nga Gjirokastra, raportojnë për fluksin turistik gjatë fundjavës dhe pritshmëritë për sezonin në vijim:
Ervina Garo:
Sipas operatorëve turistikë, qytetarët nga Durrësi dhe zona përreth kanë zgjedhur qytetin bregdetar si destinacion për këtë fundjavë, duke sjellë një rritje të kapaciteteve të zëna deri në 90%.Përveç turistëve vendas, ishin të pranishëm edhe kosovarë, austriakë, gjermanë dhe anglezë.
Rezervimet për javën në vijim janë të larta, duke treguar se sezoni ka nisur herët dhe me sukses.
Ariola Hasanaj:
Edhe pse temperaturat nuk janë tipike për stinën e verës, qytetarët dhe turistët kanë zgjedhur Vlorën për fundjavën.Shëtitorja Lungomare ka qenë e mbushur me vizitorë, ndërsa akset rrugore kanë regjistruar fluks të lartë trafiku.
Operatorët turistikë raportojnë një rritje të prenotimeve me 10-15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke vendosur Vlorën ndër destinacionet më të preferuara të këtij sezoni.
Jonida Qirko:
Jo vetëm bregdeti, por edhe qyteti i Gjirokastrës po kthehet në një atraksion turistik. Gjatë fundjavës, qyteti u vizitua nga grupe turistësh nga Gjermania, Kina dhe Greqia.Sipas statistikave të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, gjatë janar-marsit Gjirokastra ka pritur rreth 7,000 vizitorë, ku 6,000 prej tyre ishin të huaj.
Pronotimet për muajin maj janë në rritje, megjithatë, ngritja e çmimeve mbetet një sfidë për turistët.
Ky fluks turistik tregon një nisje të hershme dhe pozitive të sezonit, me pritshmëri të larta për rritje të vizitorëve gjatë muajve të verës.



