Aktivistja Arilda Lleshi sqaron incidentin e ndodhur në një takim elektoral të Partisë Socialiste në Lezhë, pasditen e djeshme thotë se shkak për të është ndotja që shkaktohet prej pesë vitesh nga një fabrikë në zonë.
Duke folur për MCN Live, ajo deklaroi se kanë muaj që protestojnë për këtë çështje, duke arritur deri në pikën që Ministria e Mjedisit ka marrë vendim për pezullimin e shkarkimeve të fabrikës, të cilin institucionet përgjegjëse nuk po e zbatojnë.
Lleshi shtoi se kanë protestuar para Kryeministrisë dhe iu është premtuar zgjidhje, por pa rezultat konkret.
Ne morëm vesh dje para mitingut të Partisë Socialiste që do vinte Edi Rama në Lezhë. Kur nuk zbatohet ligji nga institucionet ne na duhet të shkojmë te maja e piramidës, për të kuptuar nëse e dinë situatën.
Ishte organizim spontan, u bëmë 10 veta, u afruam te mitingu, mbajtëm distancën nga mbështetësit e PS. Vetëm në mënyrë simbolike donim që dikush të shikonte problemin tonë.
Në atë moment na u vërsulën punonjësit e Policisë Bashkiake të veshur civilë, por ne i njohim dy prej tyre, na shtynë, godisnin djemtë, na shoqëruan.
Ka patur deklarata sikur ky ishte një anti-mitinig i PD, por kjo nuk është e vërtetë. Kemi vetëm një person në grup që është e PD, unë jam kandidate për “Shqipëria bëhet”.
Të tjerët nuk janë të asoociuar me asnjë parti, janë të shqetësuar si banorë, pasi kanë protestuar prej disa kohësh.
Tendenca për ta shfaqur ngjarjen si antimiting i PD ndaj PS, nuk është e vërtetë.
Të gjithë janë banorë të lagjes, edhe anëtari i PD e ka ngjitur shtëpinë me fabrikën. Ishin punonjës të Policisë Bashkiake, njëri prej tyre drejtori i Policisë Bashkiake, Leonard Palaj.
Por Policia Bashkiake nuk është përgjegjëse për mbajtjen e rendit, është Policia e Shtetit, por ata ndërhynë.
Vetë personat e veshur si civilë u lanë të lirë dhe me urdhër të tyre na arrestuan. Bënë denoncimin sikur ne i kishim sulmuar dhe goditur.
Më 22 mars në orën 17.00 ne kemi protestën e radhës para fabrikës, pikërisht për të kërkuar zbatimin e vendimit, që fabrika të zhvendoset nga aty dhe të reduktojmë ndotjen.
Ne do ta vazhdojmë deri sa të ketë reagim të institucioneve. Banorët kanë pesë vjet që protestojnë për fabrikën, kanë ndjekur të gjitha rrugët, kanë takuar pronarin, iu ka premtuar se do vendosë filtër, por nuk po ndodh asgjë.
Sipas banorëve, fabrika INCA e Alban Zusit në Lezhë ndot zonën, pasi bën përpunimin e mbetjeve shtazore dhe shkarkon materiale të cilat shkaktojnë një aromë të rëndë.



