Politologu Ilir Kalemaj duke komentuar në MCN Live listat e PS-së dhe PD-së për zgjedhje, tha që Rama ka vrarë me një gur 4 zogj.
Sipas Kalemajt, Rama jep një imazh të qarkullimit të elitave, dhe kalimi i “kuajve të betejës” në listë të hapur ka rezultuar strategji efektive elektorale.
Politologu thotë se nga radhët e PS-së rrezikojnë seriozisht Majko dhe Braçe, ndërsa janë më të avantazhuar Gonxhe, Qefalia apo Orlando Rakipi.
Kalemaj sheh të avantazhuar Tabakun dhe Alimehemetin në listat e hapura të PD.
“Gati gjysma e emrave vinin nga Platforma ‘Shqipëria që Duam’. Ne mund ta diskutojmë a ishin adekuatë, apo militantë, pasi një pjesë dilnin që ishin pjesë e PS që në moshë të re. Rama me një gur vrau 3-4 zogj. Duke parë konsumin politik, duke parë rrethanat gjeopolitike sepse s’është e njëjta gjë bota sot me botën e para gjashtë muajve dhe kjo mund të afektonte rezultatin politik edhe në Shqipëri, e treta një pjesë e kuajve të betejës janë kandidatë për në SPAK apo kanë shkuar në GJKKO, apo në burg, natyrisht duhej një rinovim i kësaj fasade.
E katërta i duheshin hequr qafe disa problematikë që ose do kenë probleme me drejtësinë në të ardhmen e afërt, ose mund të jenë problematik për shkak të kalçifikimit të pozitave të tyre elektorale. Me një gur vret 4 zogj dhe e pesta jep një imazh të qarkullimit të elitave, gjenerata e 2030-ës, ata që do na futin në BE. Rama i kaloi në listë të hapur dhe kjo është strategji efektive elektorale. Z.Rama mendon të maksimalizojë efektin elektoral duke vënë kuajt e betejës në listat e hapura.
Berisha ka ndjekur të njëjtën filozofi, figura të forta politike plus aleatë. Si logjikë, ata janë brenda stofit të tyre si politikanë. Rrezikojnë Majko dhe Braçe shumë seriozisht. Në atë listë është një figurë elektorale me mjaft peshë lokale si Xhemal Qefalia, rrezikojnë sepse Orlando Rakipi mori 16 mijë vota në zgjedhjet e fundit, Fatmir Xhadaj po ashtu e provoi veten.
Këta i shoh më të avantazhuar dhe Gonxhen të padiskutuar të dalë nga lista e hapur. Nëse PS merr 3-4 mandate, shoh më të avantazhuar Gonxhen se sa Majkon. Sa i përket zonjave shoh më të avantazhuar znj.Denaj për arsye se është ministre, ka qenë kryesuse politike në Vlorë, për shkak të konsumit të Xhaçkës. Kodheli ka prodhuar herë pas here rezultate befasuese, është një politikane me jo pak peshë, znj.Bushka për shkak të konsumit dhe proceseve gjyqësore kam frikë se s’ka për të pasur sukses.
Te lista e PD shoh të avantazhuar Tabakun dhe Alimehemtin, për shkak se janë figura qytetare dhe për shkak të primareve. Mund të jetë Dhurata Çupi, që ka avantazh që drejton një komision parlamentar, por mund ta disavantazhojë fakti që vjen nga Dibra në Tiranë. Është befasi pozitive që Altin Goxhaj është pjesë e listës dhe mund të ketë fluksin e tij të votave. Petrit Doda është faktor i rëndësishëm lokal në zonën e Kamzës”.



