Studentët mbajnë sot një protestë para Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Protestës pritet t’u bashkohen edhe studentët e rretheve, të cilët paralelisht do mblidhen para fakulteteve ku studiojnë. Me këto protesta, studentët thonë se do të kërkojnë llogari për premtimet e qeverisë nëpërmjet Paktit për Universitetin, të cilat sipas tyre nuk janë përmbushur.
Në një intervistë në studion e lajmeve në Tema TV, Dorjan Beqiraj, anëtar i Këshillit Studentor dhe student i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, u shpreh se protesta e sotme nuk pritet të jetë masive, pasi presionet kanë qenë të shumta.
“Nuk pritet të jetë një protestë masive si e dhjetorit. Ka pasur presione, ka pasur frikë nga studentët. Numrat nuk janë tregues si është protesta, mjafton që kauza të jetë e drejtë. Kauza e arsimit ka gjithmonë nevojë për protesta”, tha ai.
Beqiraj tha se Pakti për Universitetin nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, pasi vetë pala e interesuar nuk është përfshirë.
“Qeveria nuk ka bërë gjë tjetër veçse është tallur. Mjafton të shikoni Paktin për Universitetin, që sot na shitet si propagandë. Ne ndihemi të ofentuar edhe nga vetë emri pakt. Me kë ka bërë pakt kryeministri, kur ne si student dhe pedagogët tanë nuk janë pyetur. Nuk ka se si të ketë pakt, kur palët e interesit nuk përfshihen. Ai ka bërë pakt me njerëzit e vet”, tha ai.



