
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, për mbajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor ditën e sotme, në të njëjtën ditë me protestën e opozitës kur u qëllua me grusht kreu i opozitës Sali Berisha, deklaroi për se fat të keq nuk kemi një lajm që të mbisundonte në jetën politike shqiptare dhe në jehonën e ngjarjes së pritshme të samitit.
Duke folur nga studio e lajmeve të MCN Tv, incidentin ndaj Sali Berishës e cilësoi si ngjarje tepër ordinere, jo të përshtatshme dhe të dënueshme e cila tërhoqi vëmendjen e opinionit të brendshëm shqiptar por dhe atij ndërkombëtar.
Ai tha se vendimet e samitit të BE- Ballkani Perëndimor u morën dhe ne shqiptarët jemi në pritje të zbatohen këtej e tutje.
Këto janë dy plane që kanë një lidhje për të keq midis tyre, por duhet të sundojë fryma dhe orientimi i shëndetshëm demokratik, që të shikojmë se cila është ngjarja madhore mes këtyre ngjarjeve dhe njerëzit të reagojnë.
Duhet të dënohet më fort ajo që ndodhi me Berishën, por kjo s’do të thotë të lihet në hije samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Ngjarja ndodhi dhe këtu kemi të bëjmë me një proces të rëndësishëm kombëtar që duhet t’i kushtojmë vëmendje prioritare.
Nuk duhet të heqim dorë nga mënyra se si duhet të administrohet ky samit që ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe që i bën jehonë pozitive Shqipërisë dhe procesit të integrimit.
Incidenti me Berishën, nuk ishte gjë e mirë për Shqipërinë, për imazhin e saj se boll e ka të dëmtuar imazhin Shqipëria në planin ndërkombëtar, për gjithçka që është bërë fenomen shqiptar që tregohet me gisht në Europë, sot prisnim të kishim imazh pozitiv në Europë për shkak të këtij samiti dhe pranisë së liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor.
Dobia e këtij samiti nuk zbehet dhe mbetet për të parë se si do zbatohen në raport mes vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me samitin, ai tha se një palë do ta shfrytëzojë për të kundërshtuar qeverinë dhe pala tjetër për t’u krenuar dhe se nuk ka një qasje të përbashkët, përgjithësuese se çfarë përfaqësonte ky samit.
Një samit i BE në Tiranë, është shumë i rëndësishëm, nuk do e quaja historike, por të rëndësishëm, se janë bërë dhe takime të tjera ndërkombëtare kur kanë ardhur përfaqësues të rëndësishëm nga BE dhe gjithë bota.
Është samit i rëndësishëm, uroj të pasohet nga takime të tjerë. Nga samite të tilla duhet të përcillen mesazhe pozitive dhe të mos provokojnë ngjarje që janë për të ardhur keq dhe kundër interesave të saj.
Ndihma 1 miliardë euro, është paketë ndihme në dy pjesë, gjysma për tu financuar direkt vendet e Ballkanit Perëndimor për të përballuar rrjedhojat e krizës energjetike, do financohen buxhetet e qeverive respektive dhe pjesa e dytë, do jenë investime në infrastrukturën energjetike, në mënyrë të veçantë në atë infrastrukturë siç është alternativa e energjisë diellore, i burimeve energjetike të rinovueshme.
E drejta e studentëve shqiptarë për t’u bërë pjesë e universiteteve europiane në mënyrë dixhitale, është mundësi për rininë shqiptare për t’u afishuar dhe për të marrë një diplomë europiane.
Nuk është vetëm Shqipëria pjesë e këtij projekti por të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. BE kur merr vendime të rëndësishme i merr për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ku dhe Shqipëria është pjesë.
Edhe paketa e ndihmës financiare është për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ku secila prej vendeve merr një porcion nga kjo ndihmë.
Nuk është ndihmë vetëm për Shqipërinë. pjesa jonë është pjesë e së tërës dhe si pjesë e saj ka përsëri vlerë, se Shqipëria gjithë ato milionë euro nuk i ka në dispozicion për t’i investuar në infrastrukturën energjetike.
Është ndihmë shumë e rëndësishme që i jepet Shqipërisë por edhe vendeve të tjera nga Ballkanit Perënidmor.
Tërheqjen e Presidentit serb dhe ardhjen e tij në Tiranë, nëse është urdhër nga Brukseli, Milo shprehu bindjen se nga Brukseli dhe udhëheqës të Bashkimit Europian i kanë tërhequr vëmendjen për deklaratën që bëri, ai e ka tërhequr deklaratën dhe ka ardhur në Tiranë.
Gjithë kjo shkon në favor të politikës shqiptare, se i tregon faktorit ndërkombëtar ja me cilin po merremi. Europa nuk ka ndërmend ta humbasë Serbinë dhe po bën të gjitha përpjekjet për ta mbajtur afër.
Serbia është tashmë një vend shumë afër me Rusinë dhe BE dhe SHBA, nuk duan që Serbia të shkojë plotësisht në prehrin e Rusisë.



