
Nesër, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, do të mbahet një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Kjo protestë ka ngjallur debat edhe në seancën e sotme parlamentare në Shqipëri.
Gazmend Syla, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, në një intervistë për “MCN Informacion”, u shpreh se protesta është gjithpopullore dhe se nuk janë bërë ftesa të veçanta për asnjë subjekt politik.
Kjo protestë është e të gjithë shqiptarëve, nuk kemi bërë ftesa për parti apo figura të caktuara.
Nuk duhet politizuar, sepse është një mesazh që duhet të vijë nga populli, për të sensibilizuar opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar.
Sipas tij, protesta në Tiranë është vazhdim i një seri protestash që janë mbajtur më parë në Prishtinë dhe në Hagë.
Ne kemi organizuar protesta në Prishtinë, më pas edhe në Hagë, dhe tani vijmë në kryeqytetin e shqiptarëve në Tiranë. Kjo protestë ka për qëllim të dërgojë një mesazh të qartë: drejtësia nuk po funksionon siç duhet, dhe procesi gjyqësor në Hagë ka dalë përtej objektivit fillestar.
Populli duhet të flasë vetë, jo të flasin në emër të tij njerëz që nuk e përfaqësojnë.
Gjykata ka devijuar nga qëllimi fillestar për të cilin është themeluar dhe po vepron jashtë frymës kushtetuese.
Kjo është një protestë publike, e hapur për të gjithë shqiptarët. Nuk kemi bërë ftesa të veçanta, kush ndjen se duhet të marrë pjesë, është i mirëpritur.
Deklaratat politike, përfshirë edhe ato nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë lidhje me organizimin e kësaj proteste, pasi ajo është thirrur në mënyrë të pavarur dhe jo nga ndonjë subjekt politik.



