Projektligji për disa ndryshime në ligjin për qeverisjen elektronike, i cili prek drejtpërdrejt Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), u miratua në Kuvend me 74 vota pro, pavarësisht kundërshtive të opozitës.
Lidhur me këtë, eksperti i ekonomisë në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti, për ‘MCN Live’ deklaroi AKSHI është strukturë buxhetore që furnizohet nga shteti dhe me ndryshimet bëhet e mundur që kompani private do të menaxhojnë tenderat publikë.
AKSHI është një strukturë buxhetore që furnizohet nga shteti, ku çdo fond duhet të dalë në tenderim publik. Me ndryshimet e reja ligjore, fondet e shtetit do të menaxhohen nga kompania private, e cila do të marrë tenderat publikë pa garë të hapur. Kjo do të krijojë hapësirë për klientelizëm dhe mund të cënojë sigurinë kombëtare të vendit.
Nuk jemi kundër pjesëmarrjes së sektorit privat, por përqendrimi i tij duhet të bëhet me respektimin e ligjit dhe garës së ndershme. Tashmë, AKSHI do të mund të zgjedhë firma të caktuara, të transferojë databaza dhe shërbime pa transparencë dhe pa tenderim. Kush më garanton që kompania që zgjidhet do të jetë më e mira për shërbimin?
Teliti theksoi më tej se ndryshimet mund të çojnë në situata ku të dhënat e qytetarëve bien në duar të pasigurta dhe ku kontrollet nga auditimi dhe KLSH nuk do të jenë më efektive. Ai bëri thirrje që presidenti të kthejë ligjin pas miratimit.
Thirrja ime është që presidenti ta kthejë mbrapsht këtë ligj, sepse nuk duhet të miratohet. Nëse nuk ndodh, do të jetë një fatkeqësi për të dhënat e shqiptarëve dhe sigurinë kombëtare.
Kur të vijë momenti do të jetë shumë vonë. Dëmi më i madh nuk është leku që humbet por të dhënat tona në duar të caktuara që cenojnë qytetarët në radhë të parë. Aktet nënligjore sidomos në këtë rast kanë fuqizuar influenca të caktuara. Jemi në një situatë alarmante sepse nëse ai akt hyn në fuqi do futet në atë kazanin e madh të akteve të cilat një orë e më parë do të marrin ndryshimin.



