
Edhe pse e mbështet kërkesën e pedagogëve për rritjen e pagës, zëvendësdekania e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Elsa Skënderi Rakipllari, thotë se ka një dilemë në lidhje me bojkotin që u mohon studentëve nisjen e procesit mësimor. Në studion e MCN TV, Rakipllari tha se kjo e bën të domosdoshme gjetjen e një mundësie që do t’i jepte fund protestës së pedagogëve.
Trajtim financiar i tyre është i pamjaftueshëm, gati-gati denigrues. Por nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë gjithë problematikën që ka shoqëruar studentët këto vitet e fundit. Tërmeti fillimisht e më pas pandemia kanë krijuar shkëputje nga auditorët. Kjo i bën shumë prej nesh të mendojë për pasojat që do të ketë ky vendim. Unë do të shoh mundësinë të jem pjesë e grevës. E mbështes kauzën, por e kam këtë shqetësim, nesër para një auditori me studentë që duan mësim. Kanë qarkulluar ide për rritje të përqindjes dhe nëse ka hapësira, duhet të shihen sa më shpejt. Është gjëja që duam më pak, që të kemi anomali.
Distancimin e disa rektorëve dhe dekanëve nga bojkoti i pedagogëve, Rakipllari e sheh si ushtrim të detyrës së titullarit.
Rektorët dhe dekanët janë të zgjedhur nga stafet. Nuk di ta them, duhet parë rast pas rasti. Mbase ata janë të parët që kanë njëfarë trysnie nga qeveria. Është përgjegjësi e shtuar kur je titullar, po mendoj se të gjithë do ta gjejnë mënyrën për të reaguar dhe kuptuar se kjo e drejtë na takon.
Ajo e cilëson të pamjaftueshme rritjen që qeveria propozoi para dy javësh për pagat e pedagogëve.
Një rritje prej vetëm 7% nuk bën asgjë. Është shumë larg trajtimit financiar me dinjitet që duhet të marrim ne. Arsyeja pse ne krahasohemi me Kosovën është se ata janë kolegët tanë, i njohim shumë mirë. Një pjesë e tyre janë doktoruar në Universitetin e Tiranës dhe paguhen shumë më mirë se ne.
Se çfarë vendimi marrin pedagogët, është tërësisht në të drejtën e tyre.
E tillë është edhe mbështetja e qeverisë ndaj studentëve, sipas Rakipllarit.
Bursa që marrin studentët është në nivele qesharake. Trajtimi financiar lë shumë për të dëshiruar.
Lidhur me rënien e numrit të regjistrimeve të reja, Rakipllari tha se vërehet më pak në Universitetin e Tiranës. Megjithatë, kjo rënie është një këmbanë alarmi për të gjetur zgjidhje emergjente sidomos për disa degë.
Ka një rënie të përgjithshme të numrit të studentëve të rinj. Në të gjitha degët ka më pak studentë seç ka pasur në vitet e mëparshme. Në degën e historisë ka 25 studentë, ndërkohë që para disa vitesh shkonin në 100. Ka rënie në arkeologji. Nëse nuk bëhet diçka sa më shpejt për të ndryshuar politikat dhe për t’u dhënë studentëve nxitje të zgjedhin këto degë, ne do të jemi në krizë për studentë. Është për të ardhur keq se kemi të bëjmë me institucione që kanë traditë, që janë ngritur mbi kontributin e njerëzve të rëndësishëm për vendin.



