GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për mjekun e QSUT, Edvin Prifti.
Pas shumës 250 mijë Euro dhe 16 mln lekë cash në zyrë e në shtëpi, mjekut Prifti i është shtuar edhe akuza për ‘Pastrim parash’, krahas asaj të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në këtë mënyrë, GJKKO ka ashpërsuar masën e sigurisë për mjekun Prifti. Nga pezullim i detyrës, GJKKO ka caktuar masën e arrestit me burg për mjekun Prifti, për shkak të shumës së madhe të parave që iu gjetën në banesë dhe në zyrë.
Mësohet se mjekut Prifti i janë vënë prangat në sallën e gjyqit dhe pritet të transferohet në burgun “313” opse “302” në kryeqytet.
Gjatë deklaratës së tij përballë gjykatës, mjeku Prifti tha se nuk ka fshehur asnjë gjë, madje ka konfirmuar se punon në spital privat, por edhe në shtet. Mjeku është shprehur i befasuar nga kërkesa e prokurorisë, e cila ka kërkuar futjen e tij në burg, madje duke i shtuar edhe akuzën e pastrimit të parave.
Hetimet ndaj tij nisën bazuar në përgjimet e sekretares së Gjykatës së Krujës të cilat kishin nisur për lirimin e të dënuarve por që kanë zbuluar për Prokurorinë e Posaçme edhe korrupsionin në shëndetësi.
SPAK bën me dije se nga përgjimet ka rezultuar se sekretarja e Gjykatës, Manuela Mallkuçi, i ka dhënë para kirurgut Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion nënën e saj.
Në këtë skemë të kundraligjshme sipas Prokurorisë së Posaçme janë përfshirë dhe Trendafile Frangu dhe Migena Skenderi, infermiere të QSUT-së.



