Rezidenca e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar në Downing Street ka qenë e mbushur me pleshta, në kohën kur drejtimin e qeverisë britanike e mori Liz Truss.
Truss, e cila ka pasur mandatin më të shkurtër si lider në historinë britanike me vetëm 49 ditë, e përmend këtë fakt në librin e saj të ri "Dhjetë vjet për të shpëtuar Perëndimin", i cili del në treg në Britaninë e Madhe dhe në SHBA javën e ardhshme.
"Vendi ishte i infektuar nga pleshtat," shkroi Truss. “E gjithë ndërtesa duhej të spërkatej me vrasës pleshtash. Kalova disa javë duke u kruar.”
Truss zbulon në libër se megjithëse ajo porositi mobilie për rezidencën, ajo dhe familja e saj "u dëbuan përpara se ato të dorëzoheshin".
Truss kritikon institucionet financiare të Britanisë në libër, duke i quajtur Thesarin, Bankën e Anglisë dhe Zyrën për Përgjegjësinë e Buxhetit "hidra me tre koka" që "dëshironin t'i përmbaheshin sa më shumë ligjeve të BE-së". Ajo gjithashtu akuzoi tre institucionet se ishin pro Kinës.
Ish-kryeministrja zbulon gjithashtu se ka ngatërruar Zonjën e Parë franceze Brigitte Macron me Zonjën e Parë të SHBA Jill Biden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në 2022.
Truss thotë në libër se bashkëshorti i saj e kishte parashikuar që kandidimi i saj në postin kryesor në Mbretërinë e Bashkuar "do të përfundonte me lot".



