Ish-ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, është dërguar për gjykim për akuzën e "rrëmbimit të migrantëve". Senatorët miratuan të mërkurën heqjen e imunitetit për Salvinin, çka i jep të drejtë gjykatës ta marrë të pandehur.
Është fjala për një incident të korrikut të vitit të kaluar, kur 131 emigrantë u ndaluan të zbrisnin në një port italian për gati një javë.
Në atë kohë, Salvini po bënte presion për mbylljen e porteve për emigrantët.
Në rrjetet sociale, Salvini tha se vendimi për të mbajtur të izoluar emigrantët që kërkonin shpresë në Itali reflekton qëndrimin e italianëve që e kanë votuar.
"Nëse do të dal në gjyq, do t'u sqaroj gjyqtarëve se kisha detyrë të mbroja qytetarët italianë, dhe do të eci qetësisht në dhomën e dëgjimit që përfaqëson miliona italianë - për atë që bëra ishte ajo që ata donin: kontrolle për ata që vijnë në Itali dhe ata që largohen, siç do të bëja në shtëpinë time. Kur nuk bëni asgjë të gabuar, atëherë nuk ka asgjë nga të cila duhet të keni frikë".
Një votim i tillë i Senatit ishte i pritshëm, pasi partia e Salvinit, Lega, e ka humbur shumicën.
Pasi rasti i Salvinit të shqyrtohet nga drejtësia, nëse shpallet fjator, ai rrezikon deri nnë 15 vjet burg. Gjykata mund t’i ndalojë atij edhe kandidimin apo emërimin në poste të larta, çka do të thotë shuarje e ambicieve të tij për të drejtuar një qeveri në të ardhmen.



