Historia dhe kultura nuk kanë çmim edhe nëse nuk je dhe aq mirë ekonomikisht. Athina ndodhet në vitin e shtatë të krizës ekonomike, por i ka thënë jo gjigandit italian të veshjeve “Gucci” për një sfilatë vetëm 15 minuta në Akropol.
Komisioni Arkeologjik i Greqisë e ka refuzuar kërkesën që “Gucci” i ka paraqitur, pavarësisht gatishmërisë së firmës për të paguar jo pak, por një million euro qira për vetëm 900 sekonda spektakël.
Lajmin e bën të ditur shtypi grek, sipas të cilit kompania italiane e veshjeve kishte ofruar të paguante edhe 55 milionë për të drejtën për të xhiruar dhe promovuar pamjet në botë. Por sipas vetë “Gucci”-t, kërkesa është refuzuar pa kaluar ende në terma financiarë.
Përgjigjja e grekëve ka qenë kategorike: Vlerat dhe karakteri i Akropolit nuk përputhen me një event në kësaj natyre. “Nuk kemi nevojë për publicitet. Simbolizmi i monumentit do të zbehej nëse do shërbente si sfond për një sfilatë mode”, ka thënë drejtori i muzeut, Dimitris Pantermalis.
“Gucci” u ka kujtuar autoriteteve të Akropolit se një leje ët tillë e kishte dhënë në vitin 1951 për “Christian Dior”, por as kjo nuk ka pirë ujë.
“Të lejosh përdorimin e Akropolit do të ishte poshtërim”, shkruan në një editorial e përditshmja “Kathimerini”.
E megjithatë, në të shkuarën, Akropoli është përdorur për të xhiruar spotet publicitare të “Coca-Cola”-s, “Lufthansa”-s dhe “Verizon”-it. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



