Policia e Elbasanit ka zbardhur dy ngjarje të ndodhura në maj në këtë qytet, ku u vendos lëndë plasëse në shkallët e një lokali dhe poshtë një makine. Në kuadër të operacionit të koduar “Eksplozivi” janë vënë në pranga dy 38-vjeçarë, të cilët dyshohen si të përfshirë në këto ngjarje.
Siç bën të ditur policia e Elbasanit, dy të arrestuarit janë Gentian Kllogjri dhe Thanas Thoma, 38 vjeç, ndërsa vijojnë hetimet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë
Specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan finalizuan me sukses operacionin policor të koduar eksplozivi.
Si rezultat i një hetimi intensiv të përbashkët të zhvilluar me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës parë Elbasan u bë ndalimi i shtetasve:
G. K, 38 vjeç banues në Elbasan
Th. Th, 38 vjeç banues në Elbasan
Ndalimi i tyre, u bë pasi;
Më datë 06.05.2017 në Lagjen ‘Luigj Gurakuqi” dyshohen të kenë vendosur lëndë plasëse në tokë poshtë mjetit në pronësi të shtetasit F.V.
Më datë 22.05.2017 në Lagjen “Emin Matraxhiu” dyshohen të kenë vendosur lëndë plasëse në shkallët e një lokali në pronësi të shtetasit L.D.
Vazhdojnë hetimet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv, mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 152, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.



