Kthesa 180 gradë e SPAK për të hetuar Ilir Beqaj

Kthesa 180 gradë e SPAK për të hetuar Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do të dilte pa u lagur nga hetimet që kishte nisur prej 3 vitesh e gjysëm Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kontratën koncesionare të sterilizimit.

Kontrata e sterilizimit është një nga koncesionet më të shtrenjta në Shqipëri dhe ka një kosto totale në vlerën 150 milion euro. Deri tani buxheti i shtetit ka paguar 100 milion euro për kompaninë Sani Service që ka lidhur këtë kontratë me shtetin dhe detyrimet për vitin e ardhshëm llogariten të jenë 17.5 milion euro, sipas tabelës së shpenzimeve që ka dorëzuar në Kuvend Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Këto fakte duket se kanë krijuar debate në publik, kanë rritur dyshimet për drejtësinë e reformës së re në sistemin gjyqësor dhe argumentimet kundër hetimeve ‘sipërfaqësore’ duket se nuk vijnë vetëm nga opozita, media dhe ekspertët, por dhe nga vetë brenda sistemit.

“Duket qartazi që ka një hetim të gjatë nga ana e Prokurorisë dhe ka dyshime që hetimi nuk është i plotë dhe i thelluar sa i përket konfliktit të interesit apo fitimeve të mundshme dhe abuzimeve që janë bërë me koncesionin e sterilizimit.” thotë ish-prokurori Gentian Tërnova.

“Është nisur me një kontratë me mbështetje buxhetore, është ditur që në fillim që kishte kosto për buxhetin e shtetit. Zhvillimet e mëvonshme kanë provuar se që në vitin e parë janë konstatuar tejkalim të tavaneve buxhetore, jo vetëm nga media dhe organizata, por nga institucioni suprem i auditit, Kontrolli i Lartë i Shtetit”, sqaron Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.

“Në përfshirjen këtë herë në hetim të z.Beqaj është rasti ku ka ndikuar opinioni publik, sepse që në momentin që nuk u akuzua z.Beqaj, u pa qartë nga dosja çfarë u publikua që kishte ndërhyrje të pastër për të marrë koncesion dikush që kriteret u bënë vetëm për ta fituar ai garën.” sqaron avokati Redi Ramaj.

Më 22 maj 2023 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi marrjen e masave të sigurisë  me burg për ish -zv/ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe një nga aksionerët kryesorë të kompanisë koncesionare të sterilizimit Ilir Rrapaj.

Rrjepaj hetohet për veprën penale “falsifikim i dokumentave” dhe “shpërdorim detyre”, ndërsa biznesmeni Rrapaj për atë të “mashtrimit”.

Bashkë me ta ,SPAK kërkoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhënien e masave shtrënguese dhe për 6 antarë të Komisionit të Dhënies së Koncesionit, pasi dyshohen për veprat penale “shpërndorim detyre” dhe “falsifikim” kryer në bashkëpunim.

Për juristen Marsela Serjani dhe Saimir Kadiun, pjesë të komisionit të dhënies me koncesion u kërkua masa “arrest shtëpie” ndërsa për antarët e tjerë, rektorin e Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, drejtorin e Drejtorisë Spitalore Petref Mersini, dhe anëtarët Genc Burazeri e Naile Abazi, u kërkua masa “detyrim paraqitje”.

Gjykatësi i çështjes Erjon Bani nuk ra dakord me vendimin e prokurorëve për të mos ngritur akuzë ndaj ish ministrit Ilir Beqaj. Ai la detyrë që të hetohet jo vetëm Beqaj por dhe ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani. Kësaj liste gjykatësi i shtoi dhe 4 antarë të Komisionit të Prokurimit Publik , të cilët sipas tij nuk morrën masa për anullimin e garës së ‘Sterilizimit’ pasi konstatuan shkeljet “flagrante të ligjit” në procedurën e sterilizimit.

 “Gjykata çmon se SPAK të orientohet të ushtrojë ndjekjen penale ndaj Ilir Beqaj me detyrën Ministër i Shëndetësisë dhe Shkëlqim Cani me detyrë Ministër i Financave në kohën kur është zhvilluar procedura e koncesionit objekt gjykimi, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” e kryer në bashkëpunim si dhe për anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik, Gentian Këri, Spiro Kuro, Leonard Gremshi dhe Hektor Balluku, po për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” e kryer në bashkëpunim.” thuhet në vendimin e gjyqtarit Erjon Bani.

Bani kërkonte po ashtu shpalljen të pavlefshme nga ana administrative të kontratës koncesionare, pasi konstatonte se ishte nënshkruar në kushtet e konfliktit të interesit dhe se është produkt i kryerjes së disa veprave penale.

“Të komunikohet me Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave në përfundim të hetimeve paraprake me qëllim marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore për konstatimin e pavlefshëmrisë së Kontratës Koncesionare datë 02.12.2015 të lidhur mes Ministrisë së Shëndetësisë përfaqësuae nga Ilir Beqaj dhe shoqerisë Sani Service përfaqësuar nga Admir Daca.” thotë gjykatësi Erjon Bani.

Por çfarë ka ndodhur nga ky argumentim në datën 23 qershor 2023 i ekzekutuar për efekt të arrestimit të personave të kërkuar në datën 17 gusht?

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar marrjen si person nën hetim të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

“Me urdhrin “Për regjistrimin e emrit të personit që i atribuohet vepra penale” datë 23.10.2023 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në regjistrin e njoftimit të veprave penale është shënuar emri i shtetasit Ilir Hamdi Beqaj, në cilësinë e personit nën hetim, si i dyshuar për figurën e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.”

Ja se çfarë argumentojnë pas disa muajsh hetime prokurorët për fajësinë e ish-ministrit Ilir Beqaj.

 “Me shkresën datë 27.2.2014 drejtuar Ministrit të Shëndetësisë, ish-drejtori i QSUT-së, Ogerta Manastirliu., kishte përgatitur një plan biznesi për kapacitetet që ofronte dhe shpenzimet e duhura për vënien në përdorim. Nga dokumentacioni i administruar nuk u gjet përgjigje për plan biznesin më sipër. Për gjithë periudhën 2012-2016, Reparti i Sterilizimit Qendror, nuk është vënë në përdorim për përmbushjen e kërkesave në rritje për sterilizime si edhe ofrimin e shërbimit me cilësi të lartë.”

Neglizhenca për vënien në funksion e repartit të sterlizimit me pajisje të blera nga shteti shqiptar dhe me një kosto 960 mijë euro në vit, konsiderohet si shkelje nga ana e ministrit, i cili nuk ktheu përgjigje për planin e vënies në punë të repartit, por zgjodhi ta kontraktojë te kompanitë private me çmim 10 herë më të lartë.

 “Duke u nisur nga llogaritje të përafërta shpenzimet vjetore për sterilizimin në QSUT do të ishin rreth 96,000,000 lekë. Pra nëse Reparti i Sterelizimit Qendror të QSUT do të ishte vënë në funksionim me një kosto vjetore rreth 96,000,000 lekë do të kishte mbuluar të gjitha kërkesat e reparteve të saj duke mos pasur nevojë për shërbimet e të tretëve. Nga dokumentacioni i administruar në protokoll nuk u disponuan përgjigje për plan biznesin sa më sipër.”

Prokurorët tashmë kanë marrë në konsideratë njohjen që ish-ministri Ilir Beqaj ka patur me pronarët e koncesionit të sterilizimit përpara se të hapej gara për dhënien e kontratës, shpallja e fituesit dhe nënshkrimi i saj.

 “Në datë 15.11.2021 është bërë këqyrja e të dhënave në Ëeb site Reporter.al, ku vërehet se është një artikull mbi konçensionin e sterilizimit objekt hetimi. Në këtë artikull jepen të dhëna mbi shtetasin Ilir Rrapaj, administrator i kompanisë Investital. Pjesë përbërëse me 40% e SaniService sh.p.k., që është fituesi i këtij konçensioni. Gjithashtu, vërehen fotografi të një personi që cilësohet në këto fotografi si Ilir Rrapaj dhe persona të tjerë ndër të cilët njihen Kryeministri i Shqipërisë zoti Edi Rama, ish-Ministri i Shëndetësisë z. Ilit Beqaj dhe ish-zëvëndës Ministri i Shëndetësisë zoti Klodian Rrjepaj. Në këtë artikull hidhen dyshime mbi njohjet e Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj duke publikuar dhe fotografi të përbashkëta të tyre.” thuhet në dosje.

“Është parë që paraja publike e transferuar përmes thesarit është përcjellë në disa sifone ku është çuar në kompani të lidhura me të njëjtët pronarë dhe në zëra që nuk ndiqet dot dhe një pjesë e tyre janë transferuar jashtë vendit.” sqaron Zef Preçi, i cili kërkon që prokuroria të gjurmojë paratë.

Njohja e Ilir Beqaj përforcohet dhe nga të dhënat e gjeneruara nga sistemi Tims, ku rezulton se ai ka hyrë dhe ka dalë në disa raste me pronarë dhe administratorë të koncesionit të sterilzimit. Në hetimet e para, prokuroria kishte evidentuar udhëtimin në Vjenë të z.Beqaj dhe administatorit të kompanisë koncesionare “Sani Service” Admir Daca dhe hyrje në Rinas nga Roma të Ilir Beqajt me Umbro Staçinit, përfaqësues i dy kompanive aksionere të koncesionit Ujet srl e Tecnosanimed. Të njëjtat hetime shënonin dhe udhëtimin tjetër të Beqaj me Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj nga Roma në datën 15 qerhsor 2014, periudhë që përkon me përgatitjen e dokumentave për hapjen e tenderit të koncesionit.

Beqaj tashmë shihet nga prokurorët dhe si person që ka patur dijeni për studimin e fizibilitetit, një pjesë e të cilit është përgatitur nga Universiteti i Peruxhias, por që më pas është kopjuar dhe është servirur si studim i grupit të punës së ngritur për dhënien e koncesionit.

Në kanalin ‘Report TV’, të postimit të datës 04.04.2014, paraqitet një vidio me titull ‘Sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale Beqaj: Të bëhet jashtë sallave’. Në këtë vidio shpjegohet projekti i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale jashtë spitaleve dhe do të ofrohen bashkë me elementë të tjerë njëpërdorimësh. Në këtë vidio paraqitet zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, Gianni Bidini një femër që flet italisht, si dhe Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj që edhe flet në lidhje me këtë projekt të sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale. Gianni Bidini është një nga autorët e studimit të kryer nga Universiteti i Peruxhias, që më vonë është bërë pjesë e studimit të fizibilitetit të Konҫensionit objekt hetimi. Ai bashkë me shtetasin Ilir Rrapaj kanë qënë pjesë e takimeve të përbashkëta me Ministrin e Shëndetësisë dhe Zëvëndës Ministrin e Shëndetësisë në lidhje me takimet me Universitetin e Peruxhias dhe Rajonin e Umbrias.” thuhet në dosje.

“Duke parë mënyrën se si është trajtuar çështja, ka dyshime që nga ana e prokurorisë është shmangur përfshirja penale e disa personave, duke nisur që nga ish-ministri Ilir Beqaj apo dhe persona të tjerë, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.” sqaron avokati Redi Ramaj.

Materiale identike të këtij dokumenti, thotë Prokuroria e Posaçme janë bërë pjesë e studimit të fizbilitetit për koncesionin e sterilizimit. Hetimet kanë zbuluar se zv-ministri Klodian Rjepaj ka qënë shok klase me Ilir Rrapaj në Fakultetin e Mjekësisë dhe po ashtu me Artan Leshin në vitet 96’ e 97’, drejtor në kompaninë koncesionare Sani Service.

Prokuroria ka zbuluar dokumenta ku kompania italiane Servizi Italia, pronare me 30% e kontratës së sterilizimit ka marrë vendim të bordit të saj në datën 18 dhjetor 2014 që të krijohej një kompani në Shqipëri për marrjen pjesë në një tender publik për një kontrate 10-vjeçare për sterilizimin, ndërkohë që rezulton se tenderi është hapur më 13 shkurt 2015, dy muaj pas këtij vendimi.

Të gjitha këto lidhje sipas prokurorisë, krijojnë bindjen se zyrtarët dhe pronarët e koncesionit kanë patur informacion dhe njohje më parë dhe fituesi ka qënë i paracaktuar. Prokuroria ka kërkuar po ashtu informacion mbi të dhënat e kompanisë Investital, në pronësi të Ilir Rrapaj, ku ka rezultuar se në vitin 2014, që është marrë në referencë si vit për shëndetin dhe kapacitetin financiar të kompanisë, Investital ka qënë e regjistruar në Kosovë dhe kishte vetëm 1 punonjës, ndërsa nuk deklaronte as xhiro dhe as tatime të paguara për shitje mallrash dhe shërbimesh. Kjo kompani zotëronte dhe kuotat më të mëdha në koncesion, 40%. Tashmë këto dyshime përfshijnë dhe dijeninë që ka patur mbi këto lidhje vetë koka e institucionit: ministri Beqaj.

“Kjo është dosja e parë që është dërguar si kallzim penal në SPAK dhe është deri dikur e fundit që po hetohet. Prokurorët kanë patur mundësitë dhe aftësitë profesionale për ta hetuar, por duket të ketë patur presion. Kuptohet qartë që presioni politik është shumë i fortë, sepse preket një nga ish-ministrat e qeverisë aktuale, drejtues i lartë i Partisë Socialiste dhe me poste në administratë deri para pak ditësh. Nuk duhet të zvarritet kaq gjatë një hetim për një koncesion që po shpenzohen akoma dhe sot para publike në shuma të konsiderueshme.” shprehet avokati Ramaj.

 

Ilir Beqaj po ashtu trajtohet këtë radhë si person që ka patur dijeni për uljen në 50 mijë të numrit të ndërhyrjeve kirurgjilale nga 63 mijë që ishte numri i operacioneve në vitin 2013, çka ka sjellë dëm ekonomik në miliona euro shtesë për buxhetin e shtetit gjatë periudhës së zbatimit të kontratës koncesionare.

 

Kapaciteti i llogaritur i repartit të sterilizimit mbulonte ripërshtatjen e instrumentave kirurgjikale për deri në 60, 000 ndërhyrje kirurgjikale në vit. Ndërkohë që po sipas kësaj memo gjatë vitit 2013 në Shqipëri janë kryer rreth 50, 000 intervente kirurgjikale. Kjo do të thotë se i përballonte më së miri nevojat e vendit Qendra e Sterilizimit pranë QSUT-së. Pavarësisht këtij informacioni Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në krye të memos ka vendosur shënimin “Dakort! Të vijojmë me procedurat e tjera. Beqja 26.06.14.”

“Është shumë e gabuar ajo që ndodh sot dhe me SPAK që flitet për ‘shkelje të barazisë në tendera’, ‘shpërdorim detyre’ dhe nuk flasin për problemin e vërtetë që është korrupsioni, përdorimi i fuqisë vendimarrëse për të çuar para publike në duar lobesh të lidhura dhe pasuri të paligjshme në duart e zyrtarëve të lartë”, ngre si shqetësim eksperti Zef Preçi.

Beqaj ka fimosur urdhrin për ngritjen e komisionit të dhënies me koncesion të sterilizimit, ka caktuar antarët dhe detyrat e tyre si dhe është personi i cili ka ndërmarrë procedurat ligjore për shpalljen e fituesit, njoftimin për lidhjen e kontratës dhe firmosjen e saj.

 “Ministria është person juridik, publik, që përfaqësohet dhe drejtohet nga ministri". Për sa kohë kjo e drejtë nuk i është deleguar ndonjë organi, apo individi tjetër e gjithë vendimarrja për këto procedura është tagër i Titullarit të Autoritetit Kontraktor, në rastin konkret Ministrit të Shëndetësisë.” thuhet në shkresën drejtuar kompanisë Action Laundry, ankuese në procedurën e koncesionit . Pra, me këtë shkresë pranohet fakti që është e gjithë vendimarrja për këto procedura është e Ministrit të Shëndetësisë dhe jo e ndonjë organi tjetër.”

“Është detyrë funksionale e ministrit që të jetë në dijeni të procedurave që ndiqen në këtë rast. Ai ka përgjegjësi jo vetëm politike, por dhe ligjore që të shmangë të gjitha abuzimet e mundshme që mund të bëhen gjatë procesit të dhënies së koncesionit”. thotë ish-prokurori Gentian Tërnova

Një tjetër shkleje evidentohet te trajtimi i ankesës të operatorit ekonomike Action Laundry, konkurrent në garën për koncesionin e sterilizimit.

 “Pavarësisht se Ministri i Shëndetësisë kishte dijeni lidhur me ankesën e datës 02.10.2015 nga operatori ekonomik ‘Action Laundry’, jo vetëm nuk pezulloi procedurën e mëtejshme të koncesionit, por vijoj duke kryer këto veprime: në portalin e Agjencisë së Prokurimit Publik, është shpallur njoftimi i fituesit për operatorin ekonomik Servizi Italia Spa; Ministri i Shëndetësisë  njoftoi lidhjen e kontratës, dhe i është drejtuar operatorit ekonomik Servizi Italia Spa, duke e njoftuar për ditën e negocimit të kontratës. Po ashtu kërkoi asistencë teknike për Avokatin e Shtetit për të marrë pjes në negocimin e kontratës.” thuhet në dosje.

 

Prokuroria e Posaçme tashmë e sheh ish-ministrin Beqaj si person që kishte dijeni për marrëdhënien e zv/ministrit Rrjepaj me Ilir Rrapaj.

“Nga këqyrja e komunikimeve e-mail, është konstatuar se gjatë kohës që priteshin të bëheshin negociata lidhur hartimin e kontratës ka pasur komunikime me emal midis shetasit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj me persona të tjerë. Kështu, më datë 11.10.2015  shtetasi Ilir Beqaj i dërgon email shtetasit Klodian Rrjepaj me këtë përmbajtje: “Ju lutem ndiqni me përparësi përgatitjen e kontratave per PPP respektive”.

Po ashtu në një tjetër komunikim me email, ai referohet fituesve të koncesionit si ‘italianët’, çka për prokurorinë ai ishte në dijeni se cilët persona ishin fituesit. Beqajt i është dërguar dhe komunikimi me email mes Ilir Rrapajt dhe Klodian Rrjepajt, ku duket se kanë njohje me njëri -tjetrin pasi i drejtohen me fjalët ‘i dashur Fra’, ‘Ciao Bello’ dhe ‘na çoni haber’.

 “Nga komunikimet me email rezulton se ish Ministri i Shëndetësisë dhe ish Zëvendësministri i Shëndetësisë ishin në dijeni që fituesit ishin pikërisht personat me të cilët ata kanë pasur komunikime të vazhdueshme, duke dalë së bashku me jashtë shtetit, si dhe kishin dijeni në përfshirjen e fituesve në periudhën parapërgatitore të dokumentit “Studim i Fizibilitetit” që i hapi rrugë më pas dhënien e konçesionit shtetasit Ilir Rrapaj.”

Nga këto konstatime të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, nuk rezulton asnjë provë e re apo dokument i ri që ata nuk e kishin parë gjatë hetimit 3 vjeçar të kësaj dosje. Kthesa e hetimeve ka të bëjë me ndryshimin e këndvështrimit të tyre mbi rolin e ish-ministrit në aferën e sterilizimit. Nëse disa muaj më parë ai nuk i bindte se kishte baza për kryerjen e veprës së shpërdorimit të detyrës, pas tërheqjes së vëmendjes nga ana e gjykatësit paraprak të masave të sigurisë për të parë lidhjet e Beqaj me shkeljet në kontratën e sterilizimit, argumentat për përfshirjen e tij nga ana e prokuroëve ngjajnë të njëjta me ato të gjykatësit.

“Nuk dua të përfshij aludime për ndërhyrje apo keqdashje nga ana e prokurorisë, por për të shmangur të gjitha aludimet që bëhen nga gjykata apo qoftë dhe media, prokurori është mirë që të japë dorëheqëjn nga hetimi i çështjes dhe ta hetojë dikush tjetër që ka një bindje apo mendim tjetër.” thotë ish-prokurori Tërnova.

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy