
Delegacioni i BE në vendin tonë shprehet se marrëveshja Frontex për menaxhimin e kufijve në kuadër të përballimit të fenomenit të emigracionit, do të kontribuojë në rritjen e sigurisë.
Në një postim në rrjetin social "Facebook", delegacioni i BE madje thekson se negociatat për marrëveshje të tilla kanë përfunduar me partnerë të tjerë të Ballkanit Perëndimor.
“Hyrja në fuqi e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare Frontex, the European Border and Coast Guard Agency në të ardhmen do të kontribuojë për rritjen e sigurisë dhe garantimin e një menaxhimi më të mirë të migrimit të parregullt në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin. Negociata për marrëveshje të tilla kanë përfunduar me partnerë të tjerë të Ballkanit Perëndimor. Menaxhimi i kufijve shqiptarë mbetet kompetencë e autoriteteve shqiptare. Agjencia u ofron vetëm ndihmë dhe mbështetje autoriteteve kompetente kombëtare, në frymën e bashkëpunimit të ndërsjelltë”, thuhet në një njoftim të delegacionit.
Delegacioni i BE shton se nuk ka lidhje mes hyrjes në fuqi të marrëveshjes dhe mekanizmit për pezullimin e vizave.
“Është në interes si të Shqipërisë ashtu dhe të BE-së që të rrisin më tej bashkëpunimin e tyre për migracionin dhe sigurinë”, mbyllet reagimi.



