
Çmimi i kokainës ka rënë. Dhe në mënyrë të ndjeshme. Nga SHBA në Europë, ku përdorimi është thuajse masiv, droga në fjalë, e njohur si lëndë e parë e aktivitetit të grupeve kriminale, ka pësuar një rënie të ndjeshme për arsye komplekse.
Një është rritja dhe prodhimi global të kokainës si dhe diversifikimi i zinxhirëve të furnizimit të këtij stimulanti.
Sipas agregatorit ndërkombëtar të të dhënave, statista, çmimet e kokainës në Europë mes viteve 2012 dhe 2023, varionin nga 65 deri në 85 euro grami. Kulmi u arrit në vitin 2016, ndërsa në vitet në vijim çmimi ka rënë ndjeshëm deri në 66 euro në 2023.
Në Mbretërinë e Bashkuar, çmimet e kokainës ranë nga ekuivalenti i 178 dollarëve në 110 dollarë midis 2019 dhe 2021. Vendi vazhdon të ketë një çmim të lartë të shitjes me pakicë të kokainës në rrugë në një krahasim global, megjithatë, me çmime më të ulëta në shumicën e vendeve evropiane.
Ndërkohë për herë të parë që prej vitit 2014, çmimi i një gram kokainë ne 2025 ka pësuar një rënie të ndjeshme edhe në Francë.
Sipas një informacioni konfidencial të Zyrës Franceze Kundër Narkotikëve, të siguruar nga gazeta Le Monde, çmimi mesatar në Francë ka zbritur nga 66-euro në rreth 58-euro për gram, një rënie prej mbi 10%, që konsiderohet e paprecedentë në tregun francez të drogës.
Prodhimi i bollshëm dhe lufta mes grupeve kriminale është një nga faktorët kryesorë që shpjegon këtë rënie pasi prodhimi global i kokainës ka vazhduar të rritet, duke arritur nivele rekord.
Sipas raportit vjetor të publikuar në janar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, vetëm në vitin 2022 u prodhuan mbi 2,700-ton kokainë, 20% më shumë se një vit më parë dhe trefishi krahasuar me vitet 2013-2014.
Një tjetër faktor që ndikon në uljen e çmimit është edhe rritja e ndjeshme e numrit të konsumatorëve si pjesë e një strategjie mes furnizuesve për të fituar treg.
Në janar të këtij viti, Qendra Franceze për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë (OFDT), në përmbledhjen vjetore të të dhënave për vitin 2023, e cilësoi përhapjen e gjerë të psikostimulantëve (stimulues sintetikë të trurit), përfshirë kokainën, si një nga prirjet kryesore të viteve të fundit. Sipas këtij raporti, vetëm gjatë vitit të kaluar, 1.1 milionë persona në Francë raportuan përdorim të kokainës.



