
Përderisa ka skaduar afati që presidenti i vendit Ilir Meta, kishte lënë si mundësi për të pritur kreun e qeverisë, Kryeministri Rama, jo vetëm refuzoi ftesën e Presidentit Ilir Meta për diskutime por edhe e ka sulmuar atë në distancë duke deklaruar se sot selia e opozitës rrugore është Presidenca e Republikës.
"Zyrtare sot: Selia e opozitës rrugore është Presidenca e Republikës dhe udhëheqësi i katër galaktikëve të shtabit të revolucionit imagjinar për të mbrojtur me dhunë republikën e votën e popullit nga vetë populli, është vetë ai, Salvator Haxhi Qametaj. Çfarë karnevalesh politike”.
Rama paralajmëron se me qetësi dhe dashuri do t'u japin një mesazh kumbues të dielën.
“ Qeshni me ta dhe me qetësi e dashuri t’u japim një mesazh kumbues të dielën,duke votuar ose mosvotuar,por duke qenë të gjithë bashkë në një mendje se Shqipëria s’mund të jetë kurrë, një shesh për përsheshin e gatuar tërë këta muaj, të cilin duhet ta hanë ata që na e servirën”, shkroi Rama në reagimin e tij.



