
Sipas dy studimeve më të fundit të publikuara në revistat shkencore “Science” dhe “Conservation Biological”, shpendët në Azi dhe SHBA janë "në krizë".
Në njërin prej tyre arrihet në përfundim se sot në SHBA dhe Kanada ka tre miliardë më pak zogj në krahasim me vitin 1970. Sipas përllogaritjeve ka një humbje prej 29% të numrit të zogjve të Amerikës së Veriut.

Në të dytin vihet theksi në "krizën aziatike të zogjve këngëtarë": në ishullin Java, Indonezi, zogjtë tani mund të jetojnë më shumë në kafaze sesa të jetojnë në natyrën e egër.
Shkencëtarët shpresojnë se përfundimet e arritura do të shërbejnë si një thirrje për zgjim.

Si janë zhdukur tre miliardë zogj?

Studimi i Amerikës së Veriut zbuloi se sa zogj ishin duke humbur në të gjitha llojet e habitatit - nga kullotat në brigjet e deri në shkretëtirat. Ndërsa nuk vlerësonte drejtpërdrejt atë që e shtyn këtë, shkencëtarët arritën në përfundimin se, midis shkaqeve të shumta, faktori kryesor ishte humbja e habitatit e nxitur nga veprimtaria njerëzore.
Llogaritjet e ekipit bazoheshin në përllogaritjet e monitorimit të shpendëve në Amerikën e Veriut për 50 vitet e fundit - çdo studim i madh i kryer në të gjithë kontinentin që nga viti 1970.
"Ajo që pamë ishte kjo humbje e madhe. Ne u tronditëm, teksa kuptuam se zogjtë e zakonshëm, zogjtë e përditshëm në oborrin e shtëpisë po humbasin", tha Dr Rosenberg një nga studiuesit kryesorë.
I njëjti model, shtoi ai, ka të ngjarë të pasqyrohet në pjesë të tjera të botës. Dhe situata në Azi, siç ka treguar studimi tjetër, është një rast dëshmues i një krize të shfarosjes të drejtuar nga njeriu.
Çfarë është tregu i zogjve këngëtarë?

Blerja e tyre është një biznes i madh në Azi, veçanërisht në ishullin Java në Indonezi.
Që në vitin 2017, kjo lloj tregtie i ka çuar një sasi të konsiderueshme speciesh në prag të zhdukjes.
Rreth 75 milionë zogj mbahen si kafshë shtëpiake në Java. Shumë janë të kërkuar për garat për këndimin e zogjve që shpesh quhen "Kicau-mania". Në këto ngjarje, këngët e zogjve të mbyllur në kafaze gjykohen në melodi, kohëzgjatje dhe volum. Pronarët mund të fitojnë çmime gjer në 40,000 £ në garat më të mëdha.
Kjo kulturë ka çuar në kapjen e zogjve në natyrë dhe, sipas studiuesve po kërcënon mbijetesën e llojeve të shumta.

Harry Marshall, studiuesi kryesor në këtë studim, shpjegoi: "Tregtia ka vlerë dhjetëra milionë dollarë për ekonominë indoneziane, kështu që nuk është për t'u habitur që ajo është një burim kryesor rajonal, si i ofertës, ashtu edhe i kërkesës për zogj këngëtarë, me qindra tregje që përshkojnë arkipelagun, duke shitur më shumë se 200 specie të ndryshme ".
Çfarë mund të bëhet për të ndryshuar gjendjen?

Të dy ekipet e shkencëtarëve priren të jenë optimistë.
Prof. Stuart Marsden, nga Universiteti Metropolitan i Mançesterit theksoi se obsesioni kombëtar për mbajtjen e zogjve të mbyllur në Indonezi ishte i nxitur nga një dashuri për zogjtë.
"Unë mendoj se pasioni mund të kanalizohet në ruajtje", tha ai.
Dr. Rosenberg tregoi një shembull të mrekullueshëm të suksesit në ruajtjen e shpendëve: "Në SHBA dhe Kanada, gjuetarët e rosave vunë re një rënie të shpendëve ujorë dhe bënë diçka për këtë. Miliona dollarë u shpenzuan për mbrojtjen e rosave. Këtë model mund ta përsërisim edhe për zogjtë që ata të kthehen”, sugjeron shkencëtari. /BBC/



