
Papa Françesku ka nisur vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut. Ati i Shenjtë është pritur në aeroport nga presidenti Gjorge Ivanov, kryeministri Zoran Zaev, ipeshkvi i kishës katolike dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.
Takimi i parë i Papa Françeskut ka qenë ai me kreun e shtetit, Ivanonv, në vilën presidenciale në Vodno. Më pas ka vijuar takimi me kryeministrin Zoran Zaev dhe familjen e tij, si dhe takimet me përfaqësues tjerë të qeverisë dhe trupit diplomatik.
Ati i Shenjtë u shpreh se Maqedonia e Veriut përfaqëson një mozaik që mbledh bashkë komunitete të ndryshme fetare dhe etnike.
“Diferencat fetare, por edhe ato etnike, kanë krijuar një mozaik. Është një bukuri që do të arrijë shkëlqimin më të madh në masën që ju do të dini ta trashëgoni të brezat e rinj”, tha ai.
Kreu i Kishës Katolike u ndal te emigracioni dhe kontributi i Maqedonisë së Veriut si vend pritës në shekuj.
“Vlerësoj përpjekjet e Maqedonisë së Veriut në pritjen e emigrantëve të ardhur nga vende të ndryshme të Lindjes së Mesme. Në 1915-1916, ata kanë gjetur këtu një strehë. Kjo ju nderon dhe nxjerr në pah shpirtin e madh të këtij populli”, tha ai.
Në fund, Papa Françesku kujtoi Nënë Terezën, si një shembull me të cilin duhet të krenohen të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
“Ka ngjallur admirim në të gjithë botën, duke iu gjetur në krah të varfërve e të pamundurve, njëra prej jush: Nënë Tereza, e lindur Anjeze Gonxhe Bojaxhi, në periferi të Shkupit. Jam krenar që do të bëj lutjet e mia në memorialin pranë vendit ku ajo është pagëzuar. Jini krenar për të dhe shembullin që ajo la pas”, tha Ati i Shenjtë.
Papa do të vizitojë edhe shtëpinë-muze të Nënë Terezës në Shkup, ku do të takohet me krerët fetarë dhe shoqata humanitare..
Papa do të mbajë një meshë në sheshin kryesor të Shkupit.



