SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me firmosjen e 24 masave të sigurisë ndaj anëtarëve të stafit të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Bëhet me dije se nga hetimet proaktive me metoda speciale si përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, me autoritet kontraktor Universiteti Bujqësor i Tiranës, deri në këtë fazë të hetimit janë hetuar në kuadër të këtij procedimi nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) lekë.
SPAK sqaron se veprimet e kundraligjshme të zëvendësrektorëve kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi.
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; R.K., dhe I.K., me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, B.B., me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI ka kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Edmond Tërthorja, me detyrë Administrator i UBT-së.
Veprimet e kundraligjshme të personave të mësipërm kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor në fazën e përgatitjes dhe gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, veprimet e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe specifikimeve teknike apo termave të referencës, të koordinuara në vazhdimësi me veprimet e kundraligjshme të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave.
Po ashtu SPAK detajon dhe thotë se janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, të cilët në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Edmond Tërthorja, të cilët, kanë krijuar kushte dhe favorizuar në shpalljen fitues në këto procedura prokurimi, operatorët ekonomik “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit; A.Ll, M.Q., A.M., E.S, K.J., A.S., A.B., S.S., I.K., D.L., A. P., A.K., R.Dh., B.S., T.P., E.K., K.L., E.Sh., në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Edmond Tërthorja, të cilët, kanë krijuar kushte dhe favorizuar në shpalljen fitues në këto procedura prokurimi, operatorët ekonomik “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.
Gjatë hetimit ka rezultuar se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike apo termat e referencës dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit janë kryer nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomik fitues; “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”.
Në të gjitha procedurat e prokurimit të mësipërm, operatorët ekonomik fitues; “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF” kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa bërë asnjë studim tregu.
Janë evidentuar raste të zhvillimit të procedurës së prokurimit me operator ekonomik të paracaktuar fitues, për pajisje dhe mallra të tjera, që i janë vënë në dispozicion autoritetit kontraktor, disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit (procedura prokurimi të zhvilluara pas administrimit më parë të këtyre pajisjeve, për të cilat më pas janë kryer procedura prokurimi fiktive dhe marrje në dorëzim e tyre).



