
Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal sot në fshatin Kuç të Vlorës, ku banorët janë bërë bashkë për të kundërshtuar projektin e Ujësjellësit, i cili merr buronjat, pra burimin e lumit Shushica, për ta çuar në Himarë për rezorte turistike. Ky projekt shkatërron, rrënon, dhe lë pa ujë minimalisht 22 fshatra që lagen drejtpërdrejtë nga ky lumë.
Një nga banorët shprehet:
Jemi mbledhur për të protestuar për një padrejtësi që na bëhet nga kryeministri, oligarkët, që ka devijojnë lumin Shushica, që duan të na i kalojnë në Himarë, ky është një projekt grabitqar dhe korruptiv. Lumi do të thahet. Ne jemi pranë detit të palarë, pranë sofrës së pa ngrënë, ne s’kemi ujë për të pirë. Vepra më kriminale është se bashkia Himarë e ka marrë në dorëzim, këtë ujësjellës të pabërë. Këtë e bëjnë hajdutët, që nga administrata deri te kryehajduti Jorgo Goro. Mendoj që çështja do shkojë në SPAK. Himara ka alternativa për t’u furnizuar në zonën e tyre. Problemi është që kjo qeveri hajdute na bëri gjoja rrugën ne, por e bëri për hallet e tyre, për të bërë këto që po bën. Na vuri vetulla për të na nxjerrë sytë! Punimet i filluan nga Himara. Deri këtu janë shtrirë tubat. Kanë prerë, kanë prishur rrugë, kanë prishur toka. S’e kanë bërë as pushtuesit këtë batërdi. Ka projekte për rezorte në Sarandë dhe Dhërmi.
Një banor tjetër thotë:
Bëj një apel, uji i buronjave të Kuçit na i ka dhuruar Perëndia dhe natyra, ju lutem mos na i deformoni. Po na morët ujin na keni marrë oksigjenin e jetës. Ne po na iku ky ujë do ikim të tërë. Me shpresën e këtij lumi kanë jetuar, jetojmë, dhe mbajnë shpresën të tjerë për t’u kthyer. Apeli i fundit, na kanë këtu derisa uji i lumit të buronjave të Kuçit të mos i ndërpresin rrjedhjen”.
Kryeplaku i fshatit Kuç u shpreh:
Kemi që nga vera që jemi marrë me protesta, peticione, i kemi dërguar letër kryeministrit. Kur panë tubacionet atëherë njerëzit filluan të reagojnë. Jemi të shokuar nga realiteti sepse ne e dimë se sa ujë ka atje në burimet e Shushicës”.
Saimir Dine, aktivist i shoqërisë civile paralajmëron se “lumi do humbasë fuqinë e tij rrjedhëse, do ketë stanjacion, thatësirë. Normalisht do të thahet dhe do të zhduket lumi”.



