Për ish-drejtuesin e policisë Shemsi Prençi, fenomeni i “shtëpive të barit” prej të paktën 3-4 vitesh është bërë masiv.
Një qëndrim të tillë e mbajti në studion e lajmeve në MCN TV, duke komentuar “shtëpinë e barit” të zbuluar nga policia në Shkodër, me në krye një grua.
Prençi thotë se në territorin e Shkodrës, Malësisë së Madhe, të Lezhës, në Vlorë, Elbasan, Fier, Tiranë dhe më gjerë ka shumë shtëpi bari.
Kjo puna e grave ka një histori. Ju kujtohet një plakë e vjetër që u angazhua politika për ta nxjerrë nga burgu për kultivim kanabisi.
Organizatat kriminale angazhojnë femrat dhe gratë e moshuara si organizatore, thjesht i përdorin. Mbas gruas apo administratores së ‘shtëpisë së barit’, fshihen organizata të mirëfillta kriminale.
Në dijeninë time ka shumë ‘shtëpi bari’ dhe policia duhet të shtojë kontaktet dhe policimin në komunitet për të thithur sa më shumë informacione.
Sa i takon legalizimit të kanabisit, kur shteti nuk ka miratuar ligjin, organizatat kriminale janë 5 hapa para dhe e realizojnë në terren qoftë në shtëpi bari apo terrene të hapura.
Kemi humbur qelizat e qeverisjes vendore, si anëtarët e pleqësisë dhe kryepleqtë, nuk janë njerëz me reputacion apo me kredibilitet për zgjidhjen e problematikave.
Do i kërkoja policisë të jenë shumë të vëmendshëm për të bërë vërtetimin e këtyre personave. Anëtarë kryesie dhe kryepleq janë persona që kanë ndërruar 2-3 herë identitetin.
Këta njerëz bëjnë kompromise me kultivuesit e narkotikëve. Kryepleqtë dhe anëtarët e pleqësisë nuk janë të detyruar të përgjigjen për kontrollin e territorit, por janë për raportimin e problemeve të territorit.
Ata e konsiderojnë veten të përjashtuar nga përgjegjësia ligjore. Për rrjedhojë bëhen aksionerë me grupet kriminale dhe fshehin parcelat dhe shtëpitë e barit.
Pavarësisht maskimit, viti 2022 do të konkurrojë me vitin 2016 ose 2019 për kultivimin e kanabisit, për shkak të çoroditjes elektorale.
Organizatat kriminale e shfrytëzojnë vitin parazgjedhor prej mungesës së vëmendjes së Policisë së Shtetit, për të pasur favore për të mbledhur vota.
Kjo është faza më e keqe. Uroj që kreu i policisë të jetë një shpatë e fortë e Demokleut që të identifikojnë edhe të inkriminuarit në qelizat bazë të pushtetit.
Lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Klos, ku për lidhje dashurie mes dy të rinjve, babai i vajzës vrau 17-vjeçarin, babanë e tij dhe më pas veten, kërkoi që të ketë më shumë filtra në komunikimin në rrjetet sociale të të miturve dhe se kohëve të fundit ka shumë ngjarje që bazën e kanë te komunikimi në rrjetet sociale pa filtra, mes tyre dhe shantazhimi.
Në këtë drejtim Prençi kërkoi që shqetësimet të mos mbahen vetëm për vete por të denoncohen tek institucionet përgjegjëse.
Sa i takon dhënies së armëve me leje, ai shtoi se policia duhet të ketë kontroll permanent mbi këtë kontingjent dh kryepleqtë duhet të raportojnë çdo problematikë në territor.
Drejtuesit e policisë nuk duhet ti mbajnë të mbyllur 8 orë në kafaz, por të shtohen kontaktet në komunitet.
Me drejtuesit e shkollave, anëtarët e kryesisë dhe kryepleqtë. Nëse do e bëjmë këtë do kemi realizuar më së miri kontrollin e territorit.



