Komisioni Hetimor për Ceshtjen CEZ ka dërguar një fletëthirrje në adresë të Nuel Kalaj, në të cilën thuhet se ai duhet të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në Komisionin Hetimor për CEZ.
Por në zarfin e Postës thuhet se Nuel Kalaj është larguar nga Shqipëria. Në seancën e kaluar të Komsionit Hetimor, Kalaj nuk u paraqit.
Kreu i komisionit, Taulant Balla kërkoi që ai të merret forcërisht. Taulant Balla deklaroi pak ditë më parë se është kërkuar që të dëshmojë në këtë komision një tropojan i quajtur Nuel (Nue) Kalaj, i cili, në bazë të një letre që komisioni ka në zotërim, sipas Ballës, rezulton të jetë “sekseri” i marrëveshjes së qeverisë shqiptare me CEZ.
Po sipas një letre të bërë publike nga Balla, Nuel (Nue) Kalaj ka ndërmjetësuar një takim të djalit të ishkryeminsitrit Sali Berisha, Shkëlzen Berishës me drejtorin çek në Shqipëri, Josef Hejsek, gjë e cila dëshmohet në një letër që vetë Hejsek i dërgon n/drejtorit të CEZit në Pragë, Tomas Pleskac, edhe ky pjesë e takimit.



