
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Cuoci, thotë se trupat e kësaj force ushtarake mbeten ushtria e vetme në Kosovë. Në një intervistë për gazetën serbe “Vecernje Novosti”, Cuoci thotë se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në një ushtri të mirëfilltë duhet të kalojë përmes një procesi në përputhje me Kushtetutën e vendit.
“Forcat e Sigurisë e Kosovës nuk janë forcat e armatosura, ata reagojnë në rast të fatkeqësive natyrore. Ata janë të trajnuara mirë për këtë, por në qoftë se institucionet e Kosovës duan t’i transformojnë në ushtri, ky është një proces i cili edhe sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s duhet të kryhet në përputhje me Kushtetutën. Në qoftë se Prishtina vendos të ndërmerr hapa të mëtejshëm në procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura, atëherë duhet të rishqyrtohet qëndrimi i NATO-së ndaj KFOR-it ”, shprehet ai.
Sipas Cuoci-t, KFOR-i ka qenë deri tani një mision i suksesshëm për garantimin e stabilitetit në një zonë shumëetnike. Ai thekson se puna e misionit nuk lidhet me afate kohore, por me rezultate.



