
Me një vendim të marrë në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Elvis Koçi. Në VKM-në e publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë thuhet se vendin e Koçit do ta zërë zonja Iris Ago.
Ago ka mbajtur që nga dhjetori i vitit 2021 pozicionin e Këshilltares në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Po ashtu ajo ka shërbyer si drejtoreshë në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj nga viti 2020 deri në vitin 2021.
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PARANDALIMIT TË PASTRIMIT TË PARAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 21, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Elvis Koçi, drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Iris Ago emërohet drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.



