
Komisioni Evropian ka paraqitur një paketë masive legjislative për të ulur emetimet e gazeve serë të BE me të paktën 55% deri në fund të vitit 2030, një përpjekje kolosale dhe drastike që do të transformojë në mënyrë të pakthyeshme të gjithë sektorët ekonomikë.
Paketa e 13 projektligjeve përfshin një taksë kufitare për importet ndotëse, një rregullore për të hequr gradualisht makinat e karburanteve fosile, planet për të rritur marrjen e karburanteve alternative, një fond për klimën sociale për të trajtuar varfërinë e energjisë dhe një objektiv i ri për të dyfishuar pjesën e energjisë së rinovueshme gjatë 10 viteve të ardhshme.
Ky është padyshim një nga propozimet më të mëdha, më të guximshme dhe ndoshta më të rrezikshme në Bruksel, e ashtuquajtur iniciativë "Fit For 55" që synon të realizojë qëllimet ambicioze të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe ta bëjë BE-në kontinentin e parë të klimës neutrale deri në vitin 2050 një angazhim që tashmë është ligjërisht i detyrueshëm, por kërkon një strategji praktike gjithëpërfshirëse, shkruan Euronews.
"Ekonomia e karburanteve fosile ka arritur kufijtë e saj. Ne duam ti lëmë brezit të ardhshëm një planet të shëndetshëm, si dhe punë të mira dhe rritje që nuk dëmton natyrën tonë," tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ndërsa paraqiti propozimet së bashku me gjashtë Komisionerë evropianë.
Prezantimi i paketës vë në lëvizje përpjekje të paprecedenta legjislative në të cilat dy bashkë-ligjvënësit e BE-së, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, do t'i nënshtrohen lobimit intensiv nga organizatat e industrisë dhe shoqëria civile.
Projektligjet do të duhet të vlerësohen dhe negociohen individualisht derisa të dy ligjvënësit të arrijnë një version përfundimtar, një proces që zakonisht zgjat rreth dy vjet por mund të zvarritet për tekstet më përçarëse.
Duke pasur parasysh dimensionin ndërkombëtar të ndryshimit të klimës, paketa legjislative do të shqyrtohet gjithashtu nga aleatët kryesorë të BE-së dhe partnerët tregtarë, duke shkaktuar potencialisht fërkime me ata që mbeten pas ambicjeve të klimës së bllokut të BE.
Taksa e kufirit të karbonit
Komisioni Evropian kërkon të vendosë një çmim mbi karbonin që importohet në tregun e vetëm të BE. Në praktikë, kjo nënkupton futjen e një takse të re kufitare.
Ekzekutivi argumenton se blloku i nënshtrohet rregullave të rrepta klimatike krahasuar me ato të partnerëve të tyre tregtarë, të cilët veprojnë nën një mjedis më të relaksuar.
Brukseli pret të mbledhë rreth 10 miliardë euro në vit.
Mekanizmi i rregullimit të karbonit do të hapet gradualisht, me një fazë kalimtare që zgjat deri në vitin 2025. Fillimisht, instrumenti do të synojë importet e konsideruara më të rrezikuara nga rrjedhja e karbonit: çimento, hekur, çelik, alumin, pleh dhe energji elektrike. Lista do të zgjerohet më vonë në sektorë të tjerë.
Vende si Turqia, Rusia, Ukraina, Egjipti dhe Kina do të preken menjëherë nga masa pasi ato përfaqësojnë eksportuesit më të mëdhenj të produkteve të zgjedhura. Komisioni Europian thotë se po zhvillon diskutime të gjëra bilaterale me vendet jo anëtare të BE dhe shpreson që taksa të nxisë partnerët e tyre për të ulur emetimet dhe për të miratuar politika të gjelbra.
Taksa mund të shkaktojë një mosmarrëveshje brenda Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) nëse masa shihet si një pengesë e pajustifikueshme, diskriminuese për tregtinë.



