Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, reagoi ndaj krizës së emigracionit në Ceuta, duke e cilësuar situatën si një sfidë jo vetëm për Spanjën, por për të gjithë Bashkimin Europian. Von der Leyen shprehu solidaritetin e plotë të Komisionit Europian me autoritetet spanjolle dhe theksoi se Ceuta është kufi i jashtëm i Bashkimit Europian, ndaj mbrojtja e saj është përgjegjësi e përbashkët europiane. Ajo deklaroi se BE-ja do të mobilizojë të gjitha instrumentet e nevojshme për të mbështetur Spanjën në menaxhimin e situatës.
Presidentja e Komisionit bëri thirrje për rikthimin e rendit dhe kontrollit në kufi, duke nënvizuar se çdo veprim duhet të zhvillohet në përputhje me ligjin europian dhe ndërkombëtar, me respekt të plotë për të drejtat themelore të njeriut.
Von der Leyen kërkoi gjithashtu bashkëpunim të ngushtë me Marokun për të frenuar kalimet e parregullta dhe për të luftuar rrjetet e trafikimit të emigrantëve. Sipas saj, menaxhimi i kufijve të jashtëm dhe bashkëpunimi me vendet partnere mbeten elementë kyç të politikës europiane për migracionin.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar gjithashtu për incidentin, duke shprehur mbështetjen për popullin spanjoll dhe vendet evropiane.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, DASH e cilëson ngjarjen si një “shkelje të rëndë të sovranitetit dhe të drejtave të njeriut”, duke akuzuar qeverinë spanjolle se ka lehtësuar migrimin masiv të paligjshëm në Evropë.
Sipas deklaratës, Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë masa për mbrojtjen e qytetarëve amerikanë brenda dhe jashtë vendit, ndërsa shprehen të gatshme të ndihmojnë edhe aleatët evropianë që po përballen me situata të ngjashme.



