Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vendosur bllokimin e përkohshëm të ligjit të ri të administratës Biden që synon të mbrojë studentët nga diskriminimi bazuar në identitetin gjinor.
Urdhri i Gjykatës i lëshuar këtë të premte pezullon përkohësisht zbatimin e këtij rregulli në një numër shtetesh. Ky vendim është parë edhe si një fitore veçanërisht për shtetet e udhëhequra nga republikanët të cilët prej kohësh e kundërshtonin këtë rregull.
Megjithatë urdhri i Gjykatës së Lartë nuk e zgjidh përfundimisht çështjen pasi sfidat ligjore vazhdojnë në gjykatat e tjera më të ulëta.
Rregulli i ri federal i nxjerrë nga administrata Biden në prill të këtij viti zgjeron ligjin e 1972 i njohur si Titulli IX i cili ndalon diskriminimin seksual në shkollat që marrin fonde nga qeveria çka përfshin shumicën e universiteteve.
Ligji i cili hyri në fuqi më 1 gusht u kundërshtua nga 10 shtete të udhëhequra nga republikanët. Prokurori i Përgjithshëm i Tenesit i cili e kishte kundërshtuar që në nisje këtë ligj e cilësoi vendimin e gjykatës një fitore për privatësinë e studentëve, fjalën e lirë dhe sundimin e ligjit.
Por ndryshe e shohin përfaqësues të Human Rights Watch për të cilët ky është një vendim zhgënjyes që tregoi edhe njëherë fuqinë e forcave të ekstremit të djathtë. Të drejtat transgjinore vitet e fundit janë kthyer në një çështje të rëndësishme politike në vend.
Në shtetet e udhëhequra nga republikanët konservatorët kanë miratuar një sërë ligjesh që u ndalojnë studentëve përdorimin e tualeteve që nuk përputhen me gjininë e tyre ose i ndalojnë transgjinorët të përfshihen në ekipe të ndryshme sportive.



