Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, konfirmoi sot zërat që qarkullojnë prej ditësh për largimin e tij nga posti.
Në ceremoninë e prezantimit të forcave të reja ‘Shqiponja’ në Vlorë, Lleshaj tha se nuk do të jetë më ministër.
“Nuk do jem i përhershëm në qeveri, është e sigurt se s’do të jem më ministër. Asnjë nuk është i përhershëm në një post”, tha ai.
Lleshaj sheh si dy arritjet më të mëdha gjatë detyrës së tij si ministër sekuestrimin e pasurive të krimit përmes OFL-së dhe luftën kundër kanabisit. Suksesin në këtë të fundit, ai e mati me uljen e sasisë së kanabisi të kapur nga autoritetet italiane.
“Do të japim mesazhin e madh se krimi sado të arrijë të zgjasë në kohë, produkti i tij, pasuria kriminale, do ti hiqet nga duart. Ky është mesazhi që do të japë OFL: të bindë këto se pasuria e prodhuar në këtë rrugë do të merren dhe do të vihen në shërbim të publikut. OFL është një histori e jashtëzakonshme suksesi. Kanabisi ka marrë goditje shumë të mëdha në të gjithë vendin. Këtë e shohim edhe në sasinë e drogës që kapet në brigjet përballë, që është tregues se kanabisi ka marrë goditje të pakthyeshme”, deklaroi Lleshaj.



