Ambasadori amerikan, Donald Lu u takua me presidentin Bujar Nishani për të diskutuar rreth ecurisë së Reformës në Drejtësi. Ky takim vjen në një situatë kur dialogu mazhorancë opozitë mbetet i bllokuar.
Ndërkohë që po zhvillohej takimi mes Ambasadorit Lu dhe Presidentit Nishani, në kryesinë e Kuvendit, ekspertët e nivelit të lartë po diskutonin për ecuinë e procesit të reformës në drejtësi pavarësisht nëse do të marrë pjesë ose jo opozita.
Ekspertët e Partisë Demokratike thanë se nuk ishin njoftuar për të qënë pjesë e kësaj mbledhje me ekspertët e nivelit të lartë. Ekspertët e PD-së braktisën tryezën e bisedimeve duke akuzuar shumicën për mosreflektim ndaj rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Ata pretendojnë se ekspertët e mazhorancës janë të vendosur për të mos reflektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe për të mos vlerësuar mundësinë për kompromis me opozitën.
Me sa duket ekspertëve të Komisionit të Venecias do të kenë në tavolinë për të vlerësuar dy drafte, një nga mazhoranca dhe një nga opozita.



