Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, thotë se rritja e numrit të vdekjeve nga koronavirusi pasqyron rritjen e numrit të të infektuarve. Por sipas tij, situata reale mbetet e paqartë për shkak të numrit të ulët të testimeve që kryhen në vendin tonë.
“Gjendjen reale askush nuk e di. Ne kryejmë një numër të vogël testimesh, kemi më të ulëtin në Europë. Kjo e bën të pamundur njohjen e gjendjes aktuale. duke parë numrin e vdekjeve në 45 ditët e para në gusht kemi një mesatare prej 5 vdekje në ditë, 3 në ditë në korrik dhe 1 vdekje në ditë në qershor”, tha ai në një intervistë përmes Skype me studion e lajmeve në TvT.
Dasho bën një përllogaritje në bazë të numrit të vdekjeve ditore dhe vdekshmërisë nga koronavirusi. Sipas kësaj përllogaritjeje, në Shqipëri mund të ketë rretg 1 mijë raste me koronavirus në ditë. Por në statistikat zyrtare reflektohen pak më shumë se 1/10, kjo për shkak të numrit të kufizuar të testimeve.
“Kemi një rritje të shpejtë të numrit të vdekjeve dhe ky pasqyron numrin e rasteve. Vdekshmëria nga Covid-19 është pranuar rreth 0.5%. Pra të kesh 5 vdekje në ditë do të thotë se ke rreth 1 mijë raste dy ose tre javë para. Pra jemi në rreth 1 mijë raste në ditë që është duke arritur në kapacitetet maksimale që mund të përballojë sistemi ynë shëndetësor”, tha Dasho.



