
Këtë të hënë, në kryeqytet ka ndodhur një ngjarje aspak e zakonshme. Pesë persona u plagosën me thikë në ambientet e xhamisë “Dine Hoxha”, që ndodhet tek Rruga e Kavajës. Kjo ngjarje shkaktoi panik në zonë, e jo vetëm. Autori i këtij sulmi është 34-vjeçari Rudolf Nikolli, i cili është neutralizuar në vendin ku ndodhi ngjarja, nga vetë besimtarët që ndodheshin të pranishëm në xhami. Autori nuk është mjaftuar me plagosjen e besimtarëve, por ka sulmuar me thikë edhe qytetarët që po kalonin në rrugë, ku njëri prej tyre është plagosur.

(Ne foto: Rudolf Nikolli)
Të plagosurit u transportuan fillimisht në spitalin e Traumës, për t’u çuar më pas në QSUT. Gjendja e tyre, sipas policisë, është jashtë rrezikut për jetën. Pas gjithë kësaj skeme horror të ndodhur në mes të kryeqytetit, vetë besimtarët nën praninë e uniformave blu nisën pastrimin e njollave të gjakut që shiheshin në çdo cep të vendit.
Të plagosurit Donald Koçi, Mariglen Konja, Kleon Jaupaj, Anri Tola, Saba Peposhi ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa, mësohet se autori jeton në Klos bashkë me familjen por burimet thanë se njohet si njeri i dhunshëm. Veç këtij akti të rëndë, ai gjithashtu dyshohet se ka dhunuar edhe familjen që ka në Klos. Sipas burimeve, ai ka ardhur prej pak kohësh nga Anglia dhe që atëherë është bërë problematik.
Nikolli ka qenë në kërkim policor, pasi në mars të këtij viti ka plagosur Robert Kurtin tek terminali i autobuzave pranë kthesës së Kamzës. Pas një konflikti verbal me njëri-tjetrin, ai e ka plagosur me thikë 32-vjeçarin.
Sakaq, në një vidoe-mesazh në rrjetet sociale, imami Ahmed Kalaja sqaron se situata është kthyer në normalitet. Kalaja kërkon të qetësojë opinionin dhe shton se le të shërbejë kjo ngjarje për të qenë më afër njëri-tjetrit dhe me persona që kanë probleme të tilla.
“Xhamia i është kthyer normalitetit jemi duke bërë përgatitjet për iftarin e kësaj dite të trishtuar Ramazani, të gjakuar. Në çdo shoqëri mund të ketë njerëz me problematika të tilla. Zoti largoftë prej nesh raste të tilla. Dua të qetësoj të gjithë opinionin. Zoti na e pranoftë agjërimin. Një thirrje për qetësi dhe lutje të vazhdueshme dhe të të shërbejë kjo ngjarje që të jemi më afër kësaj kategorie njerëzish, duhen trajtuar që të mos lejohen të bëjnë veprime të tilla. Xhamia është duke u kthyer në normalitet, Zoti i madh bëftë mirë”, thotë imami.



