Gazetari Kastriot Çipi dhe moderatori Mustafa Nano debatuan në emisionin “Arnautistan” në lidhje me sulmin e 11 shtatorit 2001. Çipi u shpreh se ka dyshime të forta në lidhje me autorët e vërtetë të këtij sulmi, ndërsa Nano këmbënguli për versionin zyrtar të ngjarjes.
Çipi: Je i bindur se 11 shtatori e kanë bërë 13-14 terroristë islamikë që thotë versioni zyrtar.
Nano: Ti pret që unë të besoj që atë e ka organizuar Xhorxh Bushi me idenë që të kishte sebep t’i binte Irakut? Janë çmendurira!
Çipi: Bushi mund të mos ketë pasur dijeni fare, por kjo nuk do të thotë që nëse nuk dinte Bushi, nuk dinte sistemi se çfarë po ndodhte. Po bën Tucker Carlson një seri dokumentarësh, të shohim interpretimet e reja. Ajo ngjarje ka 1000 arsye për të menduar...
Nano: Çdo ngjarje e kësaj bote që është e qartë çfarë ka ndodhur, që ne dimë motivimet, dimë personazhet kush janë. Ne po të duam të zhbirilojmë mund të gjejmë arsye që përgënjeshtrojnë arsyet që janë të vërteta dhe ne i dimë.
Çipi: Që kanë logjikë apo jo?
Nano: Që gjenden atje. Njeriu ka aftësinë për të bërë interpretime që çojnë ujë te mulliri i tij. E kemi këtë aftësi, madje ti e ke shumë të zhvilluar.
Çipi: Nëse 10-15 veta që nuk kanë drejtuar kurrë një avion privat, marrin një avion super të sofistikuar, shumë të madh dhe bëjnë manovra që as pilotët më me përvojë nuk i bëjnë, këtë nuk duhet ta dyshoj? E merr ti avionin? Kush i drejtoi avionët?
Nano: Është e sqaruar ajo punë. Disa ishin të trajnuar në shkollat e Perëndimit.
Çipi: Në cilat shkolla? Njëri kishte shkuar në një kurs dhe instruktori thoshte që nuk e ngrinte dot një avion. Ishin katër avionë.
Nano: Me kobure te koka.
Çipi: Pra e kanë bërë pilotët. Një pilot që e ka revolen në kokë, e di që është i vdekur. Këta që akuzohen se kanë ardhur nga jashtë dhe kanë bërë aktin më të madh terrorist, për mua nuk janë ata që janë akuzuar. Më gjej një video të avionëve që kanë goditur Pentagonin. Pse nuk ka? Kanë qenë 800 kamera.



