
Në orët e para të ditës së sotme, një luhatje e energjisë elektrike, ka shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin e energjisë elektrike në Stacionin e Pompimit të Ujësjellës- Kanalizime Shkodër në Dobraç.
Janë dëmtuar rëndë tre panele të rrjetit të shpërndarjes së energjisë, duke ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm të rreth 120 mijë banorëve të Shkodrës.
Menjëherë, që në orën 03.00 të mëngjesit të sotëm, grupet teknike të UKSH- së kanë nisur punën për riparimin e defektit, duke zëvendësuar tre panelet dhe pjesën e dëmtuar të rrjetit elektrik.
Drejtori i UKSH- së Mark Molla, në një intervistë për mediat thotë se çdo javë problemet me furnizimin me energji apo edhe mungesa e energjisë elektrike, bëhen shkak për ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.
Defekti më i fundit, ka edhe një kosto financiare prej 200 mijë lekësh që duhet përballuar nga UKSH. Me punën e nisur që në orët e para të mëngjesit, synohet të arrihet riparimi i defektit në orët e drekës, duke rikthyer furnizimin me ujë të pijshëm.
Po punojmë me të gjitha kapacitetet për të rikthyer sa më shpejt ujin e pijshëm në qytet. Ky defekt si shkak i luhatjes së tensionit tek stacioni i pompave ishte i papritur. I bëjmë thirrje OSHEE dhe OST që të tregohen më të kujdesshëm me linjën e energjisë elektrike që furnizon stacionin e pompave. Si shkak i mbingarkesës ka patur shkyçje të energjisë elektrike gjë e cila ka sjellë defektin. Dëmi për ndërmarrjen tonë është 2 milionë lekë të vjetër si shkak i këtij defekti. Shpresojmë që në orët e drekës të mundësojmë rikthimin e ujit të pijshëm në qytet.
Furnizimi me energji elektrike është primar, duhet siguruar i rregullt dhe i qëndrueshëm për funksionimin e pompave dhe sistemin e shpërndarjes së ujit në qytet, sidomos këto ditë me temperatura mjaft të larta.



