Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, duke folur në MCN Live e konsideroi zgjedhjen e duhur atë për të garuar me siglën e vetme në zgjedhje, çka sipas tij do rifreskojë dhe rindërtojë strukturat. Duka konfirmoi edhe njëherë mbështetjen për kandidatin e grupimit Berisha në Durrës, Igli Cara. Ai u shpreh se do të konsideronte si sukses elektorat marrjen e 40 mijë votave, shifër që do ta bënte PAA-në një ofertë politike për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Kemi bërë zgjedhjen e duhur, sepse e para provojmë veten në siglën e PAA-së. Në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe vendore s’kemi mundur të hyjmë vetëm. Zgjedhjet, fushatat zgjedhore i shërbejnë partive, sidomos partive të nivelit tonë, edhe për rifreskimin dhe për rindërtimin e strukturave aty ku nuk ka. Duke identifikuar njerëzit që do kryesojnë listat e këshilltarëve bashkiakë, pastaj duke plotësuar listën, që është 1600 veta në gjithë Shqipërinë, nëse kontaktojmë këta njerëz, dhe realisht përqafojnë kauzat e PAA, mund të themi që në të ardhmen e kemi vënë në vijë punë e PAA. Sepse dihet që PAA është një partie çështjeje, nuk është e ndarë ideologjikisht majtas dhe djathtas, sepse dihet që ne merremi me bujqësinë dhe mjedisin.
Ne jemi në opozitë dhe për të fituar bashki, nëse dalin dy kandidatura është shumë më e vështirë, po dolën tre bëhet akoma më e vështirë. Nëse do dalin kandidatura të tjera nga Alibeaj, mundet që disa bashki të fitohen përsëri. Argumenti që thuhet derisa dalin dy, hajde t’i bëjmë tre, katër, nuk qëndron. Ne si PAA nuk nxjerrim asnjë kandidat për këtë jo s’e s’kemi. Jam vetë unë për Durrësin, që mund të garoj mirë, sepse kam treguar që kur kam dalë vetëm kam marrë edhe 11 mijë vota në qark. Por kam rënë dakord të mbështesim kandidaturën që kemi. Ne do bashkohemi rreth Iglit, jo se kam urrejtje për Sakon dhe PS, por më duket normale që pas 20 vjet pushteti të riciklohet, ta marrë dikush tjetër që s’është provuar negativisht. PS është konsumuar në Durrës, 20 e ca vjet. Nëse ne nesër marrim një numër të konsiderueshëm votash, mbi 40 mijë, që konvertohet afërisht në 100 këshilltarë, atëherë jemi ofertë politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ne jemi të orientuar, jo të çorientuar. E çorientuar opozita është sepse është evidente, por ne jemi të orientuar shumë mirë”.
Duka u shpreh se nuk besoj që Dashamir Shehi t’i futet garës në Tiranë thjesht për renditje, duke theksuar se ai “ose del për të fituar ose nuk del hiç”.
Ai shtoi se:
Besoj dhe e kam thënë në çdo studio, që ne kemi një situatë anormale politike. Të shkëpusim sa të mundemi pushtet me këtë mega-pushtet dhe mega-kryeministër. Jam i sigurt që s’bie mazhoranca as kryeministri nga aferat korruptive. Do patjetër alternativë dhe të ketë opozitë përballë. Opozita ka problematikat e veta. Në këto kushte maksimumi që mund të bëjmë është që të mblidhemi rreth figurës së kandidatit dhe t’i trajtojmë zgjedhje si administrative. Kam vënë re që Berisha prononcohet dhe thotë që zgjedhjet janë politike, nuk besojmë se fitojmë pikë kështu. Fitojmë pikë nëse themi që kandidati i Durrësit, apo Elbasanit, është njeri me integritet”.
Kandidatët e dalë nga foltorja, pavarësisht se s’kam qenë dakord me mënyrën e selektimit, mendoj që kanë gravitet më shumë se ata të pjesës tjetër të Alibeajt. Belind Kelliçi, Luçiano Boçi, Igli Cara, mund të kenë shanse dhe të premtojnë të fitojnë. Pothuajse në 61 bashki kemi kandidatura ku pretendojmë të marrim të parin e listës. Në Durrës do pretendojmë 2-3 deri në 4 kandidatë.



