Kryetari i Shoqatës së Transporteve, Dashnor Mema në MCN Economy ka folur lidhur me vështirësitë me të cilat është duke u përballur transporti publik për të cilin u shpreh se ky sektor ka pësuar goditje për shkak të rritjes së çmimeve.
Ai tha se qeveria duhet të mendojë një zgjidhje afatgjatë dhe se duhet të ketë korsi të dedikuara për transportin urban. Sipas tij, duhet që ne të marrim shembuj nga vendet e rajonit për këtë shërbim.
Situata e transportit vazhdon të jetë në vështirësi ekonomi prej kohësh jo vetëm viti që lamë pas, kishim një goditje ekonomike sepse kishte rritje të çmimeve, por kishim dhe mungesa financiare, por kjo dhe para vitit 2022, që nga pandemia. Kemi bërë vazhdimisht takime për ti dhënë një zgjedhje transportit publik por asnjëherë nuk është marrë me seriozitet ky problem, kur në fakt vetëm në Tiranë udhëtojnë 200-250 mijë veta në ditë me këtë shërbim. Qeveria apo institucionet përgjegjëse duhet të mendojnë një zgjidhje afatgjatë. Kemi kërkuar heqjen e disa taksave si ulja e pragut të Tvsh, ne biletën e marrim pa tvsh e shesim me tvsh, heqja e akcizës, vetëm në këtë formë mund ti japim një frymëmarrje transportit. Gjithashtu edhe problemi infrastrukturës krijon vonesa dhe probleme në qarkullim, prandaj duhen korsi të dedikuara për transportin urban.
Më tej ai shtoi se u është premtuar në zë që ky vit i ri mund ti japë zgjidhje këtij sektori, por që siç ai shprehet deri tani nuk është parë asgjë konkrete. Ai theksoi se, çmimi i biletës nuk vendoset nga operatorët, por nga këshillat bashkiakë, por nëse do bënin një kalkulim në bazë të çmimeve të sotme bileta duhet të ishte 60-70 lekë të reja.
Ajo që kemi kërkuar është të jemi pjesë e tryezave të përbashkëta dhe të japim mendimet tona duke qenë se e njohim dhe shumë mirë këtë shërbim. Kosova e paguan për km transportin publik, pra ne duhet të marrim shembuj nga vendet e rajonit, që do të thotë ne i kemi shembujt konkretë se çfarë duhet të bëhet, por ka një mungesë të theksuar për ti dhënë zgjidhje këtyre problemeve të theksuara. Kanë qenë vetëm dy subvencione, natyrisht e mjaftuar, por jo një zgjidhje përfundimtare, sepse nuk është rritur vetëm çmimi i naftës, për çdo gjë që dje ka qenë më lirë sot është më e shtrenjtë, vetëm çmimi biletës ka ngel i pandryshuar. Bileta nuk vendoset nga operatorët, por ne në momentin që s’ka një ndërhyrje kemi kërkuar rritjen e çmimit të biletës dhe me këto çmime duhet të rritet 60-70 lekë bileta.
Memaj ndër të tjera u shpreh se ka pasur shumë operatorë ndërqytetës që kanë falimentuar dhe s’janë në gjendje që ti shërbejnë qytetarëve.
Sektori i transportit është shumë kompleks, por në momentin që s’ka leverdi ekonomike ai nuk del në punë, dhe kjo nuk është zgjidhje për qytetarët. Shteti duhet të ulet në tryeza të nxjerr se çfarë i duhet këtij shërbimi. Ne na duhen stacione të mirëfillta, duhet të ketë terminale funksionale që ofrojnë të gjitha shërbimet, pasi transporti publik është urë lidhëse midis shumë sektorëve. Sektori jonë ka mungesë të stafit të punës dhe me shumë kemi mungesa të shoferëve. Përveç shoferëve kemi 1500 vende vakante në këtë sektorë.
Sa i përket situatës në rrethe, Memaj tha se ato janë në një vështirësi shumë të madhe dhe se për këtë arsye kërkohet një ndryshim rrënjësor.
Vështirësitë e mbajtjes së këtij sektori kur hasen në Tiranë që supozohet se është pjesa më e madhe e popullsisë imagjino qytetet e vogla se ç’mund të ndodhi. Ikja e një shoferi nga zonat periferike do të thotë mungesë shërbimi për ata qytetarë. Duhet që dhe në vendet jashtë Tiranës, institucionet duhet të gjejnë një zgjidhje dhe të paguajnë për km. Rrethet janë në një vështirësi më të madhe, aktualisht situata është shumë e keqe, që do të thotë se nëse para pandemisë operonin me 100% të flotës, sot operojnë me 40%.



