
Gjatë një takimi midis kryetarit të KLP-së, Gent Ibrahimi, dhe deputetit Christian Lange u diskutua mbi reformën në drejtësi dhe ngritjen e institucioneve të reja si SPAK dhe BKH. Sipas Ibrahimit, në muajin tetor do të krijohet institucioni i SPAK dhe do të bëhet zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Kryetari i KLP, shtoi më tej se në javët në vijim do të merret vendimi përsa i përket numrit të prokurorëve me të cilët do të ngrihet SPAK.
"Për 9 muaj, KLP ka menaxhuar mjaft procese sfiduese si ngritja e SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Në javët në vijim, KLP merr vendim për sa i përket numrin e prokurorëve me të cilët mund të ngrihet SPAK. Besoj se tetori do ta gjejë vendin me SPAK dhe Prokuror të Përgjithshëm", tha Ibrahimi.
Ndërsa, deputeti Christian Lange tha se lufta kundër korrupsionit është kushti dhe prioriteti kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kujtojmë, se në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman Peter Zingraf.
Ndërkohë, ambasada gjermane publikoi një ditë më parë deklaratën e bërë nga Christian Lange një ditë më parë, pas takimeve me krerët politikë në Shqipëri.
Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, shprehu bindjen se shteti i së drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë përmes reformës në drejtësi.
“Unë jam plotësisht i bindur që shteti i së drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë nëpërmjet reformës në drejtësi – me gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe të pavarur. Në fund këto përpjekje do të kontribuojnë, që shqiptarët të kenë përsëri më shumë besim në sistemin e drejtësisë dhe që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Lange një ditë parë.



