
Dy zëvendëskryetarë në Partinë Konservatore në Britani kanë dhënë dorëheqje pas propozimeve të kryeministres Theresa May për Brexit-in. Maria Caulfield dhe Ben Bradley janë dy emrat që kanë dorëzura dorëheqjen e tyre.
Në letrën e kësaj të fundit, deputeti Ben Bradley thotë: “Nëse nuk e çojmë deri në fund Brexit-in edhe si frymë dhe jo vetëm si emër, atëherë Jeremy Corbyn ka në dorë çelësat”. Në këtë mënyrë, ai parashikon se moszbatimi i plotë i Brexit-it do t’i jepte liderit të laburistëve çelësat e qeverisë së re.
Po ashtu edhe Maria Caulfield, deputete që prej 2017-s, është shprehur se politikat e May-t për Brexit-in “do të jenë të dëmshme për vendin dhe për partinë”.
Dorëheqjet në partinë e May-t vijnë pas atyre të dy ministrave të kabinetit të saj ditën e djeshme. Zinxhiri i dorëheqjeve nis pas një mbledhjeje të kabinetit në fundjavë, kur May besonte se kishte arritur konsensus për planet e saj të Brexit-it.
Sekretari për Brexit-in, David Davis, dhe ai i Jashtëm, Boris Johnson, dhanë dorëheqjen dje pasi nuk janë dakord me propozimin e May-t për mënyrën se si do të bëhet shkëputja e Britanisë nga BE-ja.



