
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje”.
Gazetari Arsen Rusta në një lidhje me studion e MCN Live bën me dije se pranë gjykatës ndodhen anëtarë të grupit parlamentar të PD, avokati i tij.
Pas daljes nga SPAK, Berisha tha:
Tani, e kuptoni vetë ju që nuk mund të ketë sot çështje tjetër përveç faktit, vendimit të famshmit KLGJ. Por para se të ndalem në këtë vendim, unë e kuptoj se ju prisni me padurim t’u rrëfej se çfarë pashë brenda unë gjatë këtij kalimi të shkurtër. Aty ishte Altin Troplini apo Poja i Skapit, i cili ishte ulur me tre personazhe, me Elvis Doçin, Altin Hajrin dhe Irenën me 5 mbiemra sepse si avokat i tyre po u bënte shpjegime për çështjet. Së dyti, ndodhej ish-xhelati i Sigurimit të Shtetit, Kraja, i cili po numëronte para me Oltion Bistrin. Po, po, se e shoh që e dëgjoni me skepticizëm. Por aty ishin të dy. Këto ishin ato që pashë unë sot.
Po ashtu Rusta tha se një tjetër seancë e rëndësishme në gjykatë është ajo e kryebashkiakut Veliaj për procesin e themelit.
Pritet të nisë një proces tjetër i rëndësishëm i cili lidhet me ditën e djeshme ku kryebashkiaku Veliaj kërkoi heqjen e masës së arrestit me burg, e cila u rrëzua. Veliaj do të jetë përballë gjykatës për procesin e themelit. Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa do të bëjnë mbrojtjen, dhe më pas do të kalojhë prokuroria në kërkesën për gjykim nëse do të kemi kalim të plotë të themelit të kësaj çështjeje.



