Avioni i pilotuar nga Guido Guidi, që në shtator të vitit të kaluar u rrëzua në grykëderdhjen e lumit Ishëm, shkon në duart e pronarëve legjitimë.
“News 24” zbardh urdhrin e prokurorëve, Doloreza Musabelliu dhe Përparim Kulluri, sipas të cilëve, avioni “Piper” do t’i kthehet presidentit të “Aeroclub Savona”, Mauro Zunino
Në urdhër thuhet se, Prokuroria për Krime të Rënda ka nën hetim procedimin penal me nr.188 të vitit 2016 ndaj të hetuarit Guido Guidi i dyshuar për trafik narkotikësh mbetur në tentativë.
Në kuadër të këtij hetimi, Guidit i është sekuestruar avioni “PIPER PA 32”, i cili është lënë në ruajtje në fshatin Godull.
Meqenëse veprimet hetimore me këtë avion kanë përfunduar dhe rezultoi se ai është në pronësi të shoqërisë “Aeroclub Savona”, nuk paraqet më rëndësinë e provës për hetimit, ndaj duhet t’i kthehet pronarit. Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur të njoftojë pronarët e mjetit që të marrin në dorëzim “Piperin”.
Pavarësisht urdhrit që mban datën 31 janar 2017, deri më tani nga kompania “Aeroclub Savona” nuk ka mbërritur asnjë përfaqësues për të tërhequr “Piperin”.
Ndërkohë, nga ana tjetër piloti i hetuar, i ka thënë lamtumirë Shqipërisë dhe është larguar drejt Italisë, sapo Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë garanci pasurore.
Guidi ka shprehur gatishmërinë të paraqitet para prokurorëve sa herë të jetë e nevojshme për hetimin e çështjes. Në fakt ndonëse kanë kaluar 5 muaj nga dita kur avioni u rrëzua, Prokuroria nuk ka vërtetuar nëse me të do të kryhej trafik droge.



