
Një person ka qëlluar me armë natën e ndërrimit të viteve, në një ambient të mbyllur ku po organizohej një koncert me disa këngëtarë të ftuar.
Në skenë po këndonte reperi Stresi, kur është qëlluar dy herë në ajër. Autori është shpallur në kërkim, ndërsa koncerti mbahej në sallën e Parkut Olimpik, marrë me qira nga një nga clubet më të njohura në Tiranë. ![]()
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar, por ngjarja ka krijuar panik te pjesëmarrësit pasi ambienti ishte i mbushur plot me të rinj e të reja që ishin duke festuar natën e ndërrimit të viteve.
Policia ka identifikuar si autor të ngjarjes, Jetmir Pepën ose i njohur ndryshe si Mir Pepa.
Emri i tij u bë i njohur në verën e vitit që lamë pas. Kjo pasi ish bashkëshortja e tij, Mariela Berisha, goditi dhe shpërfytyroi në një lokal luksoz në Tiranë, të dashurën e re të Pepës, Klea Prengën.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Në vijim të veprimeve intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.
Po në vijim të veprimeve si rezultat dhe i këqyrjes së kamërave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar. Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorit të dyshuar.



